Për më shumë se 3 orë e gjysmë kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve mbi dosjet e nxehta që po heton SPAK. Dumani nuk dha shumë detaje për hetimet mbi çështjen e inceneratorëve, për të cilën tha se është komplekse.
“Është një krim intelektual dhe intelektuali para se të kryejë krimin mundohet ta fshehë. Për çështjen konkrete është në hetim paraprak. Po hetohet.”
Deputetët e opozitës i kërkuan shpjegim kreut të SPAK lidhur me vendimin për të mbajtur në ‘arrest shtëpie” kreun e PD-së Sali Berisha.
“Ju pretenduat ose parashtruat në këtë seancë se nuk ka shkaqe apo kushte për caktim mase sigurie. Unë nuk mund të them gjë tjetër, i referohem vendimit të gjykatës ku janë parashtruar kushtet dhe kriteret e caktimit të masës. Vendimi e ka bërë të qartë veprën penale që i atribuohet, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.”
Në lidhje me dosjen ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj Dumani theksoi se edhe ajo është një çështje në hetim dhe nuk ka asgjë për të ndarë me deputetët.
Ai hodhi poshtë akuzat e opozitës për ndërhyrje të politikës në punën e SPAK, duke treguar se cilat janë vijat e kuqe në punën e institucionit që drejton. Në raportimin e gjatë përpara deputetëve të Kuvendit Dumani tha se nga ana e SPAK janë vënë nën hetim 12 zyrtarë të lartë, si dhe janë sekuestruar 41 milionë euro pasuri.
Raportimi i kreut të SPAK u shoqërua edhe me debate mes deputetëve.
Klan News