Kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar kreun e Prokurorisë së Posaçme të cilin e ka quajtur “Altin Lala” se ka urdhëruar që në procesverbalin që ai do të firmoste në kuadër të masës “detyrim paraqitje”, të mos kishte asnjë shënim.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së shprehet se ka firmosur 2 procesverbale, një me vërejtje dhe tjetrin pa vërejtje teksa ka thënë se oficeri me të cilin ka bërë marrëveshje, nuk ka shkelur asnjë ligj.
“Altin Lala kishte urdhëruar OPGJ-në që procesverbali të mos ketë asnjë shënim. Vetëm një injorant mund të lëshojë një urdhër të tillë. Nuk ka procesverbal në botë që përjashton shënimin. Ai që e firmos ka të drejtë të bëjë shënimin. Herën e parë ai ishte tërbuar nga publikimi i shënimit, atëherë bëmë një marrëveshje, unë do të firmos 2 procesverbale, njërin për ty dhe tjetrin për Altin Lalën. Ishte një kompromis që kishte në bazë një qëndrim timin ndaj një djali të ri. Oficeri nuk ka shkelur ligjin, ligjin e ka shkelur Altin Lala“, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati zbuloi dhe shënimin e tij në procesverbal: Organizata kriminale e Skrapit të partisë, e angazhuar në luftë kundër pluralizmit dhe opozitës, e kryesuar nga Altin Lala, do të përfundojë, do të ketë atë fund që kanë pasur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë”. Pra, do përfundojnë në koshin e plehrave të shoqërisë dhe historisë.
/tvklan.al