Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith ishte në Shkodër ku mori pjesë në një aktivitet të organizuar për Festën Britanike të Çajit. Në fjalimin e tij, Smith konfirmoi marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Britanisë, ndërsa fokusin e vendosi edhe tek të rinjtë.

Ambasadori renditi mbështetjen që ka dhënë Britania për vendin tonë, ndërsa tha se shumë të rinj mendonin se mundësia e vetme dhe më e mirë ishte të linin Shqipërinë.

Por sipas tij, ky mendim ka ndryshuar duke shtuar lidhjet dhe partneritetin mes dy vendeve dhe duke ofruar më shumë mundësi për të rinjtë.

“Do të doja të ndaja me ju disa prej arritjeve tona të deritanishme dhe si po planifikojmë të ngremë të tjera mbi to, në të ardhmen. Eventi i sotëm reflekton angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar në veri të Shqipërisë. Mbi të gjitha, është një angazhim i njerëzve të këtij rajoni që kanë lidhje unike dhe të veçanta me popullin në Mbretërinë e Bashkuar. E kam parë këtë me sytë e mi. Ishte pikërisht këtu në Shkodër ku kam mësuar gjuhën shqipe dhe përjetova për herë të parë ngrohtësinë dhe mirësinë e njerëzve të këtij rajoni, bukurinë e peisazheve dhe rrethinave, nga më të bukurat në Europë.

Miqësia juaj dhe ato kujtime do të qëndrojnë gjithmonë me mua. Britania e ka konsideruar gjithnjë Shqipërinë si një vend mik, një partner mendjengjashëm dhe një mik në skenën ndërkombëtare. Tani edhe më shumë. Prej kohës kur mbërrita këtu, synova ta transformoj marrëdhënien tonë në një partneritet më të thellë dhe më të gjerë për sigurinë, ekonominë, drejtësinë dhe arsimin.

Tani, kemi kaq shumë aspekte pozitive për të festuar. Jemi përballur me disa sfida të vështira gjatë tre viteve të misionit tim këtu dhe i kapërcyem së bashku. Shumë të rinj, veçanërisht nga veriu mendonin se mundësia e vetme dhe më e mirë ishte ta linin Shqipërinë dhe të udhëtonin në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Pjesërisht, kjo është si pasojë e ndikimeve sfiduese të pabarazisë së zhvillimit, në të gjithë vendin.

Falë ndihmës tuaj, nisëm ta ndryshojmë këtë duke krijuar partneritete të reja për të shtuar lidhjet e biznesit, arsimit dhe ato kulturore mes Mbretërisë së Bashkuar dhe veriut të Shqipërisë”, tha ambasadori.

Të pranishëm në këtë takim kanë qenë edhe autoritetet qendrore e vendore, të cilët vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe./tvklan.al