Ministri dhe ambasadori britanik në Departamentin për Teknologjinë dhe Informacionin në Policinë e Shtetit
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, dhe ambasadori britanik Alastair King-Smith vizituan mjediset e reja të Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin të Policisë së Shtetit, ku ruhet baza e të dhënave, e cila është financuar nga Mbretëria e Britanisë së Madhe. Për ministrin Balla, siguria kibernetike dhe bashkëpunimi me partnerët është me rëndësi për të mundësuar qëndrueshmërinë e sistemeve ndaj sulmeve kibernetike.
“Jemi shumë mirënjohës Qeverisë Britanike për këtë mbështetje të rëndësishme që erdhi menjëherë pas sulmit kibernetik, shënjestër e së cilit ishte edhe Policia e Shtetit dhe sistemet e saj elektronike. Gjej rastin të falenderoj edhe ekspertët, të cilët kanë punuar ngushtësisht me stafet e Policisë së Shtetit, jo vetëm për të rikthyer të gjitha shërbimet, por edhe për të ngritur mbrojtjen kibernetike brenda Policisë së Shtetit në një nivel tjetër, sipas standardeve më të mira europiane.”
Sipas Ballës, bashkëpunimi me Britaninë e Madhe, është edhe në fusha të tjera si lufta kundër migracionit ilegal.
“Shqipëria dhe Britania e Madhe janë dëshmi e qartë se kur dy vende vendosin të bashkëpunojnë fuqimisht me njëra-tjetrën për të përballuar sfida, rezultatet janë të dukshme. Kemi arritur një rezultat që do ta quaja historik, sa i përket sfidës së përballjes me migracionin e paligjshëm dhe jam shumë i sigurt që do të kemi po ashtu rezultate të shkëlqyera. Do të vazhdojmë të kemi, sepse kemi pasur, edhe në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj tjetër të krimit, duke shkëmbyer mes palëve informacione të vlefshme në këtë përballje dhe në këtë luftë.”
Ndërkohë, ambasadori Britanik në Shqipëri Alastair King-Smith tha se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit ndihmon për rritjen e sigurisë në dy vendet.
Klan News