Ambasadori britanik në Tiranë, Fraser Wilson, ka orientuar politikën në sugjerime konkrete mbi çështje të reformës dhe aspekte që prek integrimi evropian.

Fraser Wilson: “Dua të jem i qartë se progres është arritur në shumë fusha edhe falë asistencës sonë, por ne duam të shohim më shumë. Për shembull jeta duhet të bëhet gjithnjë e më e vështirë për të korruptuarit dhe kriminelët dhe për këtë ka nevojë të ketë më shumë dënime.”

Deklaratën e tij ambasadori Wilson e bëri gjatë një tryeze të forumit për demokraci dhe etikë. Ai preferoi të ndalet më konkretisht në çështje të reformës duke dhënë mesazhe për më shumë maturi dhe transparencë.

Fraser Wilson: “Shqipëria ka nevojë për institucione të stabilizuara, efektive dhe të pavarura, një sistem gjyqësor të fortë dhe të pakorruptuar. Opozita duhet gjithashtu të luajë rolin e vet në këtë proces. Politika e të gjitha kaheve duhet të punojë së bashku për të bërë të mundur zbatimin e reformave. Debati politik është i nevojshëm, por duhet orientuar brenda rregullave të lojës me maturi dhe transparencë. Në rastin e reformës zgjedhore kërkohet që puna të përshpejtohet për të mbërritur në kohë përpara zgjedhjeve, por për këtë nevojitet diskutim pasi legjislacioni i hartuar pa diskutimin e nevojshëm nuk mund të jetë aq i mirë sa duhet.”

Po aq i shqetësuar Wilson u shpreh dhe mbi atë që e cilësoi kulturë e keqe me emërimet në administratë për shkak të natyrës kryesisht politike të tyre.

Për këtë ambasadori britanik fajësoi politikën e të gjitha krahëve duke u shprehur për domosdoshmërinë e ndryshimit të situatës./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi