Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Ambasadori i OSBE -së në Shqipëri Gert Ahrens, ka pohuar sot në një intervistë ekskluzive për Tv Klan se nga komuniteti ndërkombëtar janë dërguar 24 monitorues të procesit zgjedhor, të cilët po asistojnë dhe në numërimin dhe regjistrimin e votuesve. Duke u nisur nga kontraditat e degëve të PD-së në Gjirokastër dhe Shkodër me seli të OSBE-së në këto qytete, Ahrens tha:
Gert Ahrens, Ambasadori i OSBE:- “Ne na janë dërguar 24 monitorues nga qeveritë përkatëse. Ne i marrim emrat nga ata dhe mendoj se nuk kemi arsye për të patur dyshime për këto emra që i dërgohen OSBE-së në Shqipëri. Kjo nuk duhet të jetë arsye konflikti. Gjithashtu procesi i regjistrimit në Shkodër dhe Gjirokastër është drejt fundit dhe se ai ka kaluar mirë”.
Ambasadori i OSBE Ahrens në deklaratat e tij publike ka kërkuar herë pas here që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Ahrens tha, se në të kaluarën ka patur probleme me zgjedhjet. Sipas tij, pas vitit ’97 janë vërejtur përparime dhe se ai beson se zgjedhjet e Tetorit nuk do të vihen në pikëpyetje nga komuniteti ndërkombëtar dhe pjesëmarrësit në votime.
“Niveli i konfrontimit midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike është i fuqishëm”, tha Ahrens. Duhet të ketë një nivel bashkëpunimi, por gjithësesi ai pohon se koha e komunizmit kur të gjithë mendonin njësoj ka kaluar. Lidhur me ndryshimet në kabinetin Meta, Ambasadori Ahrens pohoi se nëse ndryshimet do të sjellin përmirësime, atëherë ne do ti mbështesim ato. Gjithsesi për Ambasadorin e OSBE-së është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, në rast të kundërt përfundoi ai do të ishte shumë keq për Shqipërinë./tvklan.al
Gazetare – Mimoza Picari