Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Sistemi elektoral, kandidatët e pavarur dhe ndarja e zonave zgjedhore, do të jenë tre çështjet e reformës zgjedhore, që do të diskutohen pas procesit elektoral të Tetorit. Këtë agjendë e ka bërë të njohur ambasadori i OSBE në Tiranë Osmo Lipponen. I pyetur për deklaratat e liderit Sali Berisha, sipas të cilit, pa rregullimin e këtyre tre problemeve ligjore, reforma zgjedhore mund të quhet e plotë.

Osmo Lipponen:- “Kam mendimin, se puna e komisionit bipartizan ishte e suksesshme, pasi ishte i pari proces negociatash për një kohë të gjatë në Shqipëri, që rezultoi të ishte vërtetë konsensual. Ky proces tregoi se ishte në gjendje të zgjidhte të gjitha çështjet e shtruara për diskutim. Nëse ka akoma diçka që duhet të diskutohet si produkt i këtij procesi dhe që bashkëkryetarët e komisionit dypalësh do të duan ta diskutojnë, për ne ky do të jetë një proces i hapur. Diskutimet do të vazhdojnë psh. pas zgjedhjeve. Unë e respektojë mendimin e zotit Berisha, për disa çështje që ai shtron dhe që ende nuk janë shtruar në tryezë”.

Aktualisht, amendamentet për reformën zgjedhore, kanë kaluar në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, ku sipas një marrëveshje të nënshkruar mes dy partive të mëdha dhe OSBE-së, pritet të miratohen pa ndryshime brenda një muaji në Parlament./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço