Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Vili Minarolli u ka bërë thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë të kthehen të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Minarolli kërkoi nga emigrantët të aplikojnë për karta identiteti dhe pasaportat biometrike, pasi, siç theksoi ai, ato do tu mundësojnë të gjithë shqiptarëve që punojnë e jetojnë në shtetin grek, lëvizjen e lirë.
Vili Minarolli: “Secili prej jush atje ku do të shkoni ju do keni leje për të ikur në Shqipëri në atë kohë, në atë periudhë për votime. Shkoni votoni dhe hajdeni, nesër të keni gojë ti thoni edhe ambasadorit edhe qeveritarëve në Shqipëri dhe opozitës që unë kam votuar. Se për cilin kam votuar s’ka rëndësi, unë kam hedhur votën atje.”
Deklarata e ambasadorit shqiptar u bë gjatë një takimi me emigrantë shqiptarë që punojnë në sektorin e ndërtimit. Sipas statistikave, ata përbëjnë 95% të punëtorëve në këtë sektor në shtetin fqinj dhe janë autorë të shumë veprave të rëndësishme në historinë e kulturën greke.
Firma të shumta ndërtimi u kanë besuar mjeshtrave shqiptarë rregullimin e kalldrëmit në një nga rrugët më të njohura për të gjithë Athinën por edhe për turistët nga mbarë bota e po ashtu edhe të rrugës përreth muzeut më të ri të Greqisë, ku do të ekspozohen të gjitha thesaret e lashtësisë greke./tvklan.al
Gazetare: Bora Sadriaj