Dita e parë e samitit të shtatë krerëve të shteteve të Evropës Juglindore në Athinë është shoqëruar me replika mes presidentit serb, Boris Tadiç, dhe presidentit shqiptar, Bamir Topi.

Në fjalën e tij presidenti Tadiç tha se qeveria serbe mbetet e vendosur më shumë se kurrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet me shqiptarët e Kosovës, por edhe tha se ata janë përgjegjës për shkatërrimin e disa kishave dhe manastireve gjatë viteve 1999-2004. Dikush, tha ai, duhet të mbajë përgjegjësi për këto vepra.

Boris Tadiç: “Bashkëpunimi rajonal qëndron në të njëjtën linjë me përkushtimin evropian për sheshimin e ndryshimeve nëpërmjet dialogut dhe jo kundërvënies mes njëri-tjetrit. Ja pse ne mbetemi të palëkundur në vendimin tonë për arritjen e një kompromisi historik me shqiptarët e Kosovës për ruajtjen e progresit demokratik dhe çeljen e rrugëve të gjithë rajonit drejt anëtarësimit në Bllok. Besoj se kurrë më parë në historinë e Evropës Juglindore nuk ka pasur një mundësi kaq konkrete për të kapërcyer pengesat rajonale dhe konfliktet si ajo që na paraqitet tani, pra ruajtja e prosperitetit dhe pasurisë kulturore”.

Pas kësaj deklarate ka reaguar presidenti shqiptar, Bamir Topi:

Bamir Topi: “Shqipëria dëshiron që jo vetëm gjeografikisht, jo vetëm historinë dhe kulturën e saj, por edhe në rrugë institucionale, në rrugë zyrtare të jetë pjesë e familjes evropiane, e mentalitetit evropian dhe besoj që është koha që në mënyrë definitive vendet e rajonit ballkanik, të cilat kanë vuajtur jo pak nga frymëzimet dhe janë futur në lufta ndëretnike duke i krijuar dëme të jashtëzakonshme jo vetëm momentit, por edhe perspektivës së këtyre vendeve duhet patjetër t’i largohen këtyre mentaliteteve dhe retorikave nacionaliste, por të kenë si pika referimi në mënyrë të padiskutueshme orientimin drejt integrimit. Do të ishte e pakuptimtë që fryma e mrekullueshme e këtij takimi të merrte sadopak nota që i ngjasojnë një të kaluare, të cilën Ballkani s’duhet ta përjetojë më”./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle