Ambasada shqiptare në Greqi është e vendosur të përmirësojë kushtet e emigrantëve në vendin fqinj, duke nisur me mënyrën e shërbimit në selinë diplomatike. Në një intervistë për televizionin Klan ambasadori shqiptar Vili Minarolli sqaroi, se po bëhen përpjekje për përmirësimin e këtyre shërbimeve për zgjidhjen e problemeve të afro 1 milion emigrantëve shqiptarë.
Vili Minarolli: “Janë të shpeshta takimet me autoritetet qendrore pikërisht për kushtet e emigrantëve, për lejet e qëndrimit të tyre, për mundësitë e punësimit sa më të mirë të tyre. Një objekt tjetër i punës së ambasadës është që të shtrijmë gjithnjë e më shumë mësimin e gjuhës amtare tek fëmijët. Ka një preokupim dhe një angazhim të gjithanshëm të qeverisë shqiptare për përmirësimin e kushteve të emigrantëve në Greqi.”
Një tjetër prioritet i diplomacisë shqiptare në Athinë është edhe ekonomia. Gjithë vëmendja është përqendruar dhe po punohet që ti paraqitet biznesit grekë të gjitha prioritet që ofron Shqipëria.
Vili Minarolli: “Në punën e ambasadës është e orientuar drejt asaj që ti paraqesin biznesit grek, investitorëve grek të gjitha ato prioritetet që ofron Shqipëria në këtë drejtim dhe ka një mirëkuptim. Sot në Shqipëri janë prezent kompani dhe firma të fuqishme greke, është një detyrë tjetër e rëndësishme e jona që këto biznesmenë që e kanë aktivitetin kryesor këtu në Greqi ti orientojnë për ti hapur bizneset e tyre edhe në Shqipëri.”
Përsa i përket marrëdhënieve mes dy vendeve Minarolli thekson se ato janë në një nivel të shkëlqyer dhe se ekziston dëshira dhe vullneti i mirë mes dy palëve për të zgjidhur të gjitha problemet që kanë mbetur të pazgjidhura./tvklan.al