American Hospital në Shqipëri me një aktivitet prej një viti e gjysmë tashmë ka marrë akreditimin në fushën e kujdesit shëndetësor.

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, dha këtë vlerësim për spitalin lider në cilësinë dhe gamën e gjerë të shërbimeve në vend. Godo tha se nisma të tilla do të përkrahen.

Anila Godo: “Ky spital amerikan gjatë këtij një viti e gjysmë aktiviteti të tij në një farë mënyre e ka akredituar veten e tij dhe në vërtet do të jemi të sigurt në partneritetin me këtë spital”.

Nga ana tjetër ministrja Godo tha se do të krijohen hapësira ligjore për mbështetjen e këtyre strukturave private.

Anila Godo: “Ne duhet të organizojmë mirë akreditimin e strukturave, si atyre publike dhe në këtë rast të strukturave private që në bazë të indikatorëve të performancës të mund të krijojnë ato skema mbi të cilat do të akreditohen strukturat private, të përmirësojmë, të perfeksionojmë ligjin tonë të financimit të sistemit shëndetësor dhe duke pasur ato hapësira ligjore që të bëjnë të mundur këto marrëveshje, këto konvencione për këto shërbime të munguara”.

Aktivitetin e përshëndeti edhe ambasadori amerikan, Withers, i cili vlerësoi cilësinë e spitalit dhe bashkëpunimin e kujdesit mjekësor privat publik.

John Withers: “Është një gjë shumë e madhe që ky spital mban këtë emër. Spitali me një sipërfaqe 5 mijë metra katrorë dhe me një gamë shumë të gjerë shërbimesh duket qartë se çfarë kontributi të rëndësishëm do të japë.”

Ronald Drake, kryetari i bordit të spitalit, tha se për 2008-tën ky spital ofron 21 shërbime të reja, të cilat e bëjnë atë udhëheqës në kujdesin shëndetësor në Shqipëri.

Drake deklaroi se shërbimet e reja priten ende t’i shtohen këtij spitali, ndërsa gjatë fjalës së tij deklaroi:

“Do të bëjmë të pamundurën në kujdesin për shëndetin e shqiptarëve.”

Mbështetje për mbarëvajtjen e punës së Spitalit Amerikan në Shqipëri ka ofruar edhe Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i pranishëm në panel./tvklan.al