Popujt e qytetëruar janë ata që kujtojnë. Durrësi po e sjell kohën. Zbulime të reja në antikitet po kthejnë atë pjesë të lashtë të historisë. Amfiteatri i Durrësi cilësohet si porta më e madhe bashkëkohore që krahasot me Romën. E kjo madhështi duhet të jetë në mendjet e atyre që zbulojnë të shkuarën.
Iniciativat e reja të Bashkisë Durrës dhe pse me fonde të pakta kanë bërë që rrugicat e abandonuara që të çojnë në amfiteatër të ndriçohen. Është zbuluar porta hyrëse e amfiteatrit 3000 -vjeçar. Arena deri më tani kishte vetëm pamjen ballore. Kjo është zbuluar në vitin 1960. Ndërsa hyrja në të është zbuluar tani pasi janë larguar mbeturina e inerte familjare. Plehrat mbi një amfiteatër janë më shumë sesa plehrat në një qytet. Tmerri i tyre është më i madh.
Por sërish hyrja nga qyteti bllokohet nga ndërtimet. Dy shtëpi ndërtuar mbi këto mure 150 vite më parë janë pikat që bllokojnë investimin, por edhe nxjerrin nga rrënojat të këtij qytetërimi të lashtë. Kryetari i Bashkisë tregon sa punë duhet për të kthyer historinë, por edhe ruajtur atë.
Lefter Koka: “Më vjen keq që këto vlera nuk i përkasin vetëm Durrësit, por i përkasin të gjithë Shqipërisë dhe ndoshta të gjithë rajonit. Vazhdojnë të jenë të fjetura, të fshehura dhe kur mendon që ndoshta në disa ministri shkojnë fondet dhe për rrëshqitje dheu në malin e Tomorrit dhe kur shikon këtu portën hyrëse të amfiteatrit mbi të cilën ka ndërtime dhe kjo vazhdo të qëndrojë jofunksionale. Unë sigurisht që do të kisha dëshirë që kjo të shikohej dhe të vizitohej duke qenë brenda të gjitha parametrave, por del jashtë mundësive që mund të ketë një bashki. Me gjithë ndihmesën që kam nga komuniteti, është e pamundur të kompensosh shumë familje të cilat gjenden në këtë zonë, por ne do të fillojmë kjo është e rëndësishme. Në një bashkëpunim që kemi pasur me Shoqatën e Ndërtuesve ne shumë shpejt do të mundemi të rehabilitojmë rreth 8 familje të cilat na mundësojnë fillimin e gërmimeve duke menduar që do të sensibilizojmë dikë, qofshin këta vendas apo të huaj, që të na ndihmojnë financiarisht për ta bërë të vizitueshëm këtë amfiteatër. Të jemi realistë, në këto rrugica të abandonuara shumë durrsakë nuk e dinë amfiteatrin. Pra ta mendosh që e vizitojnë vetëm 5 000 vizitorë në vit ëshët skandaloze, kur në kalanë e Krujës shkojnë 100 000 vizitorë. Do të bëjmë atë që të mundësojmë që ky amfiteatër të bëhet i i vizitueshëm. Të ketë disa të ardhura të cilat të mund të bëjnë disa restaurime ndoshta dhe me fondet e tij.”
Historia flet se amfiteatri ka mbajtur 15 000 njerëz kapacitet më i madh se i akropolit, por që zbulimi i rastësishëm i tij është një dhembje fatale. Kështu që çdo mendje, çdo ndërhyrje apo edhe çdo punë na gëzon të gjithëve, sepse është arena ku përleshet harresa me kujtesën, e tashmja do të ketë të vjetrën origjinale dhe gjelbërimin e kësaj kohe.
Lefter Koka: “Po bëhet një investim i të gjithë rrugicave të cilat po shtrohen me pllaka betoni. Është bërë sistemi i vaditjes, do të mbillet me gjelbërim të shkurtër për të mos penguar murin, paralelisht me të është bërë ndriçimi dekorativ i kësaj rruge, do të bëhet shtrimi dhe besoj që shumë shpejt, pra, mbasi të jetë gjelbëruar e gjithë zona, them do të jetë një nga zonat më çlodhëse të qytetit.”
Gazetarja: “Si është arritur të bëhet e gjithë kjo punë me një fond të pakët që ka bashkia e qytetit?”
Lefter Koka: “Këtu sigurisht që kontribut, ju thashë, ka dhënë qoftë Ndërmarrrja e Pastrim Gjelbërimit, qoftë Ndërmarrja e Rrugëve, por kontributi kryesor ka qenë e atyre biznesmenëve të cilët iu bashkëngjitën kësaj dëshire të bashkisë. Kanë qenë shumë dashamirës, këtu vijnë përditë industrialistë të ndryshëm të cilët ofrojnë, dikush ofron pllaka, dikush bordurat për të realizuar qëllimin final që kjo pjesë të bëhet pjesë elitare e qytetit.”
Projekti i bashkisë shkon edhe më tej. Muri rrethues 730 m i gjatë ku dikur shfaqeshin kalorësit mendohet të kthehet në shëtitore për qytetarët e 6 ora të tjera të zbuluara do të kthehen në funksionale e të vizitueshme.
Lefter Koka: “Ku fare mirë njëra mund të jetë galeri artesh, tjetra mund të jetë diçka tjetër dhe mendoj se shumë shpejt ne do ta realiojmë këtë objektiv, pra që është brenda mundësive tona. Për sa i përket punimeve në përgjithësi në amfiteatër me siguri dikur do të frenohemi, sepse del jashtë mundësive tona, por ajo që është më kryesore, pra evidentuam ku është pjesa hyrëse e amfiteatrit për të hyrë në arenë.”
Në qoftë se zbulojmë dhomat, hyrjet ku ndesheshin gladiatorët e izoloheshin kafshët, koha tani s’ka ndërmend të fusë egërsira, por të sjellë në këtë pjesë turistë, drama të reja dhe antike e në qoftë se dimë portat e lashtësisë, do të dimë edhe portat e së ardhmes. /tvklan.al