Këshilli i Ministrave ka vendosur zgjatjen e afatit për vlefshmërinë e pasaportave dhe kartave të identitetit të skaduara deri më 31 Maj 2025. Vendimin e bëri të ditur Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha në një komunikim me gazetarët.

Ministri Hoxha ka folur me shifra teksa tha se janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë të cilëve u ka përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit. Më tej, Hoxha është shprehur se me miratimin e këtij akti, do të kenë mundësi të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës si një e drejtë kushtetuese.

Ervin Hoxha: Sot Këshilli i Ministrave miratoi një akt shumë të rëndësishëm për zgjatjen e afateve të vlefshmërisë së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Kjo situatë e krijuar që do të zgjidhë shumë shpejt ngërçin e krijuar. Janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë të cilëve u ka përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit.

Me miratimin e këtij akti, do të kenë mundësi që të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës si një e drejtë kushtetuese. Me miratimin e këtij akti, të gjithë shtetasit shqiptarë do të votojnë sipas udhëzimeve të KQZ-së duke u regjistruar në platformën elektronike të regjistrave të KQZ-së.

I pyetur në lidhje me propozimin e PD-së për ndryshim në Kodin Zgjedhor për të ju dhënë mundësi të votojnë emigrantëve shqiptarë që nuk kanë dokument identifikimi shqiptar, Hoxha ka thënë se nuk është e mundur pasi nuk e parashikon ligji.

Pyetje: PD-ja ka një kërkesë, një propozim për ndryshim në Kodin Zgjedhor që shqiptarët që jetojnë jashtë dhe nuk kanë dokument identifikimi shqiptar, por i kanë të huaja, të duhet të regjistrohen dhe më pas të votojnë. Për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, a është e mundur të bëhet kjo si procedurë?

Ervin Hoxha: Kjo nuk është e mundur të bëhet pasi ligji nuk e parashikon. Të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët kanë kartë identiteti të pavlefshme dhe pasaportën biometrike të pavlefshme, pas miratimit të aktit që bëmë sot, do të kenë mundësi që të regjistrohen në platformën e KQZ-së sipas udhëzimeve të KQZ-së.


/tvklan.al