Menjëherë pas daljes së rezultateve të para të zgjedhjeve, në Kosovë kanë nisur të diskutojnë për formimin e qeverisë së re. Sipas analistëve ka dy mundësi për kabinetin e ri qeverisës.

“Mirë është që të kemi një koalicion të madh midis partisë fituese dhe partisë së madhe opozitare, për të krijuar stabilitet dhe tjetra është që opozita të krijojë qeverinë e re”, u shpreh Belgzim Kamberi.

Vlerësojnë se në vend nuk do të ketë stabilitet politik siç kishte deri tani.

“Gjasat e mëdhaja janë që Kosova ka hyrë në një fazë të re jostabiliteti dhe institucional që mund ta ndjek edhe vitin e ardhshëm kur do të kemi zgjedhjet për presidenten që dhe aty përsëri mund të kemi një ngërç institucional”, tha Kamberi.

Albin Kurti dhe partia e tij Vetëvendosje janë të parët në këto zgjedhje, por njohësit e politikës në Prishtinë e vënë theksin te marrëdhëniet jo të mira të kryeministrit aktual me ndërkombëtarët.

“Administrata Trump ka treguar që nuk është shumë në besim me kryeministrin aktual dhe fituesin e zgjedhjeve, por nga ana tjetër me administratën Trump është shumë e vështirë, e paparashikueshme se si e shohin Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe pastaj zgjidhjen e kontekstit Kosovë-Serbi në veçanti”, tha Kamberi.  

Qytetarët e dhanë verdiktin e tyre të dielën në zgjedhje. Edhe një ditë pas tyre ata janë të ndarë në mendime.

“Vetëm partitë opozitare duhet me marrë të drejtën për me u kanë me Amerikë, Angli dhe shtetet europiane, kshu, se me këta jo, me këta drejt komunizmit, kurgjo tjetër”, tha një qytetar.

“E mira e këtyre zgjedhjeve është që të mos ketë pushtet absolut, por edhe njerëzit e tjerë që mendojnë ndryshe ta çojnë mendimin e vetëm, jo vetëm përmes parlamentit por edhe përmes qeverive”, tha një tjetër qytetare.    

Zgjedhjet e 9 Shkurtit shkuan qetë në Kosovë dhe nuk u shënuan incidente.

Klan News