Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ministria e Integrimit Europian, ka zhvilluar analizën 6 mujore të punës. Sipas ministres Meksi është vërejtur progres i kënaqshëm sidomos në drejtim të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ku është mbaruar leximi i parë i neneve të kësaj marrëveshjeje. Optimiste për angazhimin në rritje të strukturave të shtetit, ministrja Meksi deklaroi, se duhet avancuar në aspektin politik, për dokumentin e partneritetit evropian.
Ermelinda Meksi: “Një rol shumë të rëndësishëm këtu merr angazhimi i Kuvendit, për përmirësimin e sistemit zgjedhor, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me problemin e ligjit të pronave, ligjin e medias, ashtu sikurse dhe përmirësimet që kërkohet t’ju bëhet komisioneve hetimore. Vërehen vështirësi në rritje, për shkak edhe të këtij tensioni, që sjell ndër të tjera dhe ulje të kapaciteteve dhe aftësisë së institucioneve për t’ju përgjigjur detyrimeve në kuadrin e integrimit”.
Në fushën e përafrimit të legjislacionit, kjo ministri ka nënshkruar gjatë muajve të fundit dy marrëveshje bilaterale me Kroacinë dhe Maqedoninë, si dhe është në proces nënshkrimi me Slloveninë, Poloninë, si dhe vendet e tjera anëtare. Sipas ministres Meksi ndodhemi në një fazë të re marrëdhëniesh me BE, ku duhet të përgjigjemi për standarde dhe detyrime konkrete të prekshme dhe me fatura financiare të matshme, pasi epoka romantike e procesit të integrimit ka përfunduar./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj