Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në Tiranë është shtuar numri i vjedhjeve të banesave dhe makinave. Ky ka qenë një nga konkluzionet e analizës së punës 6 mujore në drejtorinë e policisë së Tiranës. Që nga fillimi i vitit në kryeqytet janë vjedhur me dhunë 114 banesa dhe 174 makina.

Zbulueshmëria për vjedhjet është e ulët, maksimumi 16%. Ndërsa sipas kreut të bluve për kryeqytetin, skedimi i personave kontingjent do të lehtësonte punën parandaluese. Këto grabitje kryhen zakonisht natën dhe për këtë drejtori i policisë së Tiranës ka kërkuar një organizim ndryshe për rendin dhe patrullat e policisë gjatë natës.

Albert Dervishi: “Kjo dukuri ka qenë mjaft shqetësuese për këtë 6 mujor, prandaj është e nevojshme që vëmendja dhe forcat tona duhet të përqendrohen në këto vjedhje për zbulimin e tyre. Për të arritur këtë, ndërkohë nga të gjithë shërbimet e policisë kriminale dhe të rendit që ndryshojnë organizimin e punës së tyre kryesisht gjatë natës, kërkohet gjithashtu dhe një bashkëpunim më i mirë me drejtoritë e policisë së qarqeve, e sidomos me ato fqinj”.

Ndryshe nga grabitjet, policia e Tiranës ka arritur të zbardhë të gjitha vrasjet e ndodhura gjatë 6 muajve të parë të vitit. Ndërsa krimi kundër personit është shënuar në nivelin 313 vepra, kryesisht aksidente dhe plagosje. Në Tiranë për 6 muaj janë shpallur në kërkim 184 persona, janë arrestuar 155 të tjerë, ndërsa në total për kryeqytetin lëvizin të lirë rreth 500 shtetas të shpallur në kërkim, si autorë krimesh./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj