Korporata Elektroenergjetike Shqiptare gjatë këtyre 7 muajve të parë të vitit ka arritur të rrisë prodhimin e energjisë elektrike me 29%, ndërsa ka ulur importin e saj me 13.1%. Sipas ministrit të ekonomisë dhe energjetikës Genc Ruli si pasojë e rritjes së prodhimit është bërë e mundur dhe ulja e kufizimeve të energjisë ndërsa sipas tij vihet re rritja e arkëtimeve dhe ulja e humbjeve në rrjet.
Genc Ruli: “Sigurish ne jemi një sistem i cili vazhdon të ketë humbje të larta krahasuar dhe me vende të tjera, është pozitive fakti që tendenca për t’i ulur humbjet në rrjet dhe për të rritur arkëtimeve në rrjet është pozitive. Arritja e arkëtimeve mbi 80% dhe humbjeve nën 35% është një arritje e pranueshme dhe duke konsideruar dhe mundësinë që kanë pasur.”
Ruli cilëson si arritje privatizimin e ARMO-s, ndërsa vlerëson se po ecet pozitivisht dhe me procedurat e privatizimit të të sistemit të shpërndarjes së KESH-it që pritet të finalizohet muajin e ardhshëm. Duke folur për kontratat koncensionare ministri Ruli deklaron se janë nënshkruar 27 të tilla vetëm në 7 muajt e parë të këtij viti, ndërsa priten të finalizohen dhe një sërë kontratash të tjera koncensionare.
Genc Ruli: “Janë në konkludim kontratat për lejen e koncesionit me shoqërinë Transeuropian Energic për projektin e ndërtimit të terminalit të gazit natyror të lëngëzuar në bregdetin e Fierit si dhe linjës së gazsjellësit nëndetar Shqipëri-Itali.”
Për Rulin gjatë kij viti është shënuar arritje impresionuese në drejtim të reformave të rëndësishme ekonomike, zhvillimit të biznesit, rritjeve të mëdha të eksporteve dh investimeve të huaja direkte, çka e bën vendin tonë sipas tij shuam më atraktiv për investitorët e huaj./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka