Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka vënë nën kontroll situatën e krijuar me ndotjen në liqenin e Komanit. Teksa inspektori nga afër procesin e pastrimit të ujërave, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u shpreh se prurjet vijnë nga dega e Drinit të Bardhë në Kosovë dhe se qeveritë e dy vendeve janë në diskutime për zgjidhjen e përbashkët.

“Kemi rënë dakord për një aksion të përbashkët. Pjesa e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit të Kosovës do të vendosë në dispozicion fondin për vendosjen e një rrjete, e një teknologjie të lartë padyshim, e cila do të menaxhohet nga pala shqiptare, KESH, për të bërë të gjithë ndalesën e parë të mbetjeve. Patjetër do ketë edhe kalime të materialeve që janë më të vogla, por të paktën të gjitha këto mbetjet e ngurta të cilat ne i gjejmë në brigjet e dy liqeneve të Fierzës dhe të Komanit do të ndalojnë”, tha Balluku.

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro duke vendosur theksin tek rëndësia që zona ka marrë si destinacion turistik tha se është e rëndësishme rritja e sensibilizimit qytetar në të dyja vendet.

“Kjo situatë që shohim në Koman na mblidhej në liqenin e Ulzës dhe të Shkopetit. Kjo histori ka marrë fund sepse është bërë një mobilizim shumë i madh i mbetjeve të tokë. Janë mbetjet nga toka që përfundojnë nëpër liqene kështu që përveç sensibilizimit shumë të madh që duhet bërë çdo turisti, çdo banori, pa diskutim që na duhet një bashkëpunim me kolegët tanë të Qeverisë së Kosovës për ta parandaluar që në burim”, u shpreh Kumbaro.

Në liqenin e Komanit janë tre anije të KESH të cilat po punojnë për grumbullimin dhe largimin e mbetjeve, ndërkohë që masat e marra nga pushteti kanë dhënë efekt në pastërtinë e ujërave.

Tv Klan