Analiza e vitit 2008, e Drejtorisë së Policisë ka detyruar Avokatin e Popullit dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë të thyejnë heshtjen mes tyre, pas rastit të Sarandës, ku Ermir Dobjani kërkoi përgjegjësi penale për policët e këtij komisariati që ushtruan dhunë ndaj një personi të arrestuar.

Ermir Dobjani: “Ne ashtu siç i kemi kritikuar për ato shkelje që keni bërë dhe do t’ju kritikojmë më tepër vazhdimisht, po dhe duke i mbrojtur në këto raste kur padrejtësisht individ kanë spekuluar me të drejtat e tyre, janë ankuar padrejtësisht të rënduar punonjësit e policisë ose për të vënë para përgjegjësisë, çështje ku janë akuzuar sikur ka vdekur fëmija për faj të policisë”.

Ahmet Premçi: “Do të jepja kritika të ashpra për punonjës të veçantë policie që jashtë avokatit të popullit, jashtë prokurorit justifikohen që s’bëjnë dot këtë veprim sepse është avokati i popullit, se bëj dot këtë veprim se është SHKB-ja. Një oficer i tillë mendoj që është i paaftë”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Premçi, kërkoi një punë më të mirë nga efektivat e policisë në marrjen e denoncimeve dhe në parandalimin e tregtisë së drogës në ambientet e shkollave.

Ahmet Premçi: “Konstatohet që jo të gjithë kallëzimet e qytetarëve merren, duhet urgjent të rregulloj me një urdhër të veçantë që çdo punonjës policie që kontaktohet nga qytetari për kallëzimin e një vepre penale, të jetë i detyruar të marrë kallëzime dhe jo t’i bëjmë cirk qytetarit nga një komisariat në tjetrin, nga një seksion në tjetrin e me radhë”.

Po rastet e përcjella nga policia për hetim në dyert e prokurorisë, shpesh ka vënë në pikëpyetje hetimin e tyre. Kryeprokurori i Tiranës, Gent Xholi, ngre shqetësimin e përhershëm atë të kostos financiare dhe njerëzore, çka shpesh sjell hetime të ngadalta dhe çorientime.

Gent Xholi: “Kemi konstatuar dhe vazhdojmë konstatojmë që nuk plotësohet numri i planifikuar i strukturës Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë. Me personel sektorët vazhdojnë të mbeten me 5, 3, 4, 2 persona ndërkohë që struktura varion 9, 8, 10. 2-3 persona merren me 2-3 dosje paralele. Po është shumë  e vështirë dhe duhet të parashikojmë që një seksion i krimeve kundër personit mund të ketë disa vrasje në një muaj larg qoftë”.

Gjate vitit 2008 janë regjistruar 4220 krime, janë finalizuar 65 operacione policore dhe janë sekuestruar sasi të mëdha lëndësh narkotike.  Nga 434 aksidente, janë shënuar 65 viktima dhe 58 të plagosur rëndë./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani

Operator: Izdor Rudho