Miratimi i dorëheqjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku dhe komandimi në këtë pozicion i zëvendësit të tij, Sokol Bizhga, i ka hapur rrugën nisjes së aplikimeve për postin e rëndësishëm.
Kështu, prej kësaj të hëne, Ministria e Brendshme ka hapur procesin e aplikimit për të gjithë kandidatët të cilët mbajnë njërën nga gradat e rolit “drejtues”.
Faza e aplikimit për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë sipas udhëzimit të Ministrit të Brendshëm do të zgjasë 7 ditë, e më pas emrat e kandidatëve të interesuar do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë.
Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, kandidatët në garë do të kalojnë në filtrin e Komisionit të Posaçëm të Vlerësimit, që kryen dhe verifikimin e vlerësimit të integritetit moral, aftësive profesionale, si dhe atyre organizative drejtuese.
Krahas verifikimit të këtyre kritereve, secili kandidat do të dalë në një seancë dëgjimore ku do të vlerësohet me pikë nga Komisioni Posaçëm i cili në përbërje ka 3 anëtarë.
Në cilësinë e kryetarit do të jetë një prej zëvendës ministrave të Brendshëm, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, si dhe kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Pas përfundimit të vlerësimit nga Komisioni, vendimmarrja i kalon Ministrit të Brendshëm, i cili propozon tek kryeministri një prej kandidatëve me më tepër pikë të fituara.
Tv Klan