Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura, ka analizuar sot operacionet dhe veprimet e forcave të mbrojtjes, që prej mbrëmjes së 9 Janarit për shpëtimin e klandestinëve në det. Ky shtab ka deklaruar, se informacionet për ekzistencën e gomones në det, i ka marr në orën 19:40 minuta, që rezulton rreth 1 orë e 30 minuta pasi informacioni ishte marrë nga policia e shtetit.
Pëllumb Qazimi:- “Siç jeni në dijeni, informacioni i parë rreth kësaj ngjarje është dhënë në qendrën operacionale të distriktit 2 detar Vlorë, në orën 19:40, datë 09.01.2004 dhe brenda të gjitha parametrave dhe kërkesave, madje edhe më parë është vënë në veprim anija e parë, pra anija e gatshme. Ndërkohë, linjat e komunikimit dhe të raportimit, kanë funksionuar brenda rregullave e kërkesave në nivelet eprore, si dhe me aktorët në rajonin e Vlorës dhe më tepër me policinë e Qarkut të Vlorës”.
Analiza e shtabit e cilëson si profesioniste punën e distriktit detar të Vlorës, duke pasur parasysh se vonesat në gjetjen e gomones, janë shkaktuar nga moti i vështirë dhe lartësia e dallgëve. Po nga analiza e bërë ka dalë si konkluzion edhe domosdoshmëria e një bashkëveprimi më tëmirë me policinë e shtetit dhe pajisja me mjete më tumira detare. Sot kanë rifilluar kërkimet nga ushtria dhe marina shqiptare, për gjetjen e trupave të të humburve. Kërkimet bëhen nga deti, toka dhe ajri.
Pëllumb Qazimi:- “Forcat detare nëpërmjet distriktit 2 detar Vlorë, ka në gatishmëri dy anije për të kërkuar në rajonin që është kërkuar më parë. Njëkohësisht janë nisur në drejtim të Vlorës, dy nënreparte komando për të bërë kërkimin në terren në breg. Detyra e tyre është që të kërkojnë në bregun e Karaburunit dhe njëkohësisht në thellësinë e afër ujore me vëzhgim”./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj