Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ekonomia informale mbetet e pranishme në masë të konsiderueshme në vendin tonë. Sipas raportimeve më të fundit bizneset e vogla dhe të mesme i shmangen më tepër regjistrimit dhe pagesës së taksave.

Anastas Angjeli: “Pjesa e ekonomisë inormale në xhidipi, ende mbetet e konsiderueshme, duke mbajtur në konsideratë faktin që ka përbërë dhe përbën gjithnjë një shqetësim për ekonominë shqiptare në radhë të parë dhe padyshim për qeverinë shqiptare dhe institucionet që janë të angazhuar në reduktimin e ekonomisë informale ne i kërkuam OECD-së që të përgatisnim një studim për sfidat e politikës në përballje me ekonominë informale në Shqipëri.”

Zyrtarë të OECD-së deklaruan se në bazë të vëzhgimeve të tyre në disa sektorë, më shumë kompani janë informale se sa formale.

“Sipas informacioneve të mbledhura rezulton, se në disa sektorë aktivitetet informale janë më të mëdha se ato formalet. Kemi parë se problemet me regjimin e taksave, kontributet shoqërore dhe kuadrin rregullator duke përfshirë dhe presionin e konkurrencës bënë që për disa kompani ia vlen më shumë që të jenë informale se sa formale.”

Sipas përllogaritjeve të INSTAT të kryera në vitin 2002, shkalla e informalitetit të ekonomisë shkonte nga 8 deri 35%./tvklan.al