Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Eksportet shqiptare janë rritur me 46% vetëm për tre muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave zyrtare të kësaj periudhe janë eksportuar afro 136 milion dollarë për produkte me markë shqiptare. Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli deklaroi, se politikat qeveritare parashikojnë rritje të kreditimit në favor të produkteve shqiptare për eksport.

Anastas Angjeli: “Nëpërmjet harmonizimit më të mirë, të bashkëpunimit të komunitetit të biznesit me politikat nxitëse që zbaton qeveria dhe natyrisht edhe me shoqatat dhe sistemin bankar shqiptar, për të realizuar një mbështetje të plotë të biznesit me cikël të plotë që nga prodhimi dhe deri në eksport dhe në të njëjtën kohë duke rritur edhe cilësinë, teknologjinë e shërbimit të bizneseve private, standardet të cilat janë elemente shumë të rëndësishëm për të konkurruar në një ekonomi rajonale dhe globale”.

Gjatë një konference të mbajtur nga Ministria e Ekonomisë mbi eksportet, u diskutuan nga ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare disa nga politikat për nxitjen e mëtejshme të rritjes së eksporteve./tvklan.al