Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Drejtuesit e mediave kryesore të vendit, e përshëndesin vendimin e qeverisë për favorizimin e këtyre institucioneve, për pagesën e energjisë elektrike. Ky vendim parashikon, që krahas bizneseve të përkrahen me një çmim më të ulët nga ai aktuali, energjinë elektrike edhe këto institucione. Lidhur me këtë drejtori i KESH Andis Harasani zhvilloi një takim me drejtuesit e RTVSH, TV Klan, TVA dhe Top Channel.
Andis Harasani:- “Duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira të KESH-it me median, ne propozuam disa tarifa çmimesh për furnizimin me energji, çfarëdo që do të negociojmë këtu, duke pasur parasysh kostot e KESH-it, duke mbrojtur interesat e korporatës për të krijuar sa më shumë hapësira për median. Me propozimin që do të biem dakord së bashku, do ia kalojmë bordit mbikqyrës të KESH-it për aprovim dhe pastaj do ia kalojmë Entit Rregullator të Energjisë, i cili do të përcaktojnë çmimin”.
Vendimi është vlerësuar si një ndihmesë që i jepet në momentin e duhur institucioneve të medias, nga drejtuesit e tyre.
Gjergj Zheji:- “Them, që shkojmë drejt një kuptimi thelbësor të atij misioni që ka media, në këtë rast media elektronike që ne përfaqësojmë këtu, që është një mision i shërbimit publik de facto, ndaj njerëzve që na ndjekin dhe kjo do të rrisë pa diskutim një koeficient të konsiderueshëm atë pjesë shumë të rëndësishme të shërbimit publik, që media ka brenda misionit të vetë dhe të krijojë marrëdhënie interaktive me publikun, që në fund të fundit ndihmon emancipimin e popullsisë në përgjithësi dhe në informimin në kohë reale në gjithçka ndodh brenda Shqipërisë dhe jashtë saj”.
Aleksandër Frangaj:- “Duhet të kuptohet që sot, deri tani ne kemi bërë përpjekjet maksimale, për të ndërtuar këto media, me parametra europian transmetimi, por nga ana tjetër i kemi ndërtuar në kushte jashtëzakonisht të vështira, sepse ne blejmë programe dhe blejmë prodhime, me tregun e Europës dhe shesim me një treg jashtëzakonisht të varfër, jashtëzakonisht të ulët dhe me burime shumë të pakta ekonomike, për të jetuar televizionet. Çmimet e publicitetit në Shqipëri, që është i vetmi burim i të ardhurave për mediat, të paktën mediat elektronike është mjaft i ulët dhe ne detyrohemi të përballojmë çmime tepër të larta, me shitje tepër të ulëta dhe kjo iniciativë e kryeministrit, kjo iniciativë e KESH-it, shpresojmë të ndiqet edhe nga subjektet e tjerë shtetëror, që sa të jetë e mundur të zbusin, këtë kosto të madhe që ka media elektronike në Shqipëri./tvklan.al