Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovës, Presidenti Bajram Begaj dhe homologia e tij nga Kosova, Vjosa Osmani kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për mediat. Gjatë fjalës së saj, Presidentja Osmani është shprehur se Kosova gjithmonë do ta mbështesë Shqipërinë dhe së bashku do të ecim drejt sukseseve në familjen e madhe europiane.
Më tej, Presidentja Osmani e ka vënë theksin tek votimi që do të bëhet ditën e nesërme në Këshillin e Europës, në të cilin ka thënë se se Kosova e ka merituar të jetë pjesë e saj që në vitin 2010. Megjithatë, me mbështetjen e Shqipërisë, Osmani beson se do të ketë një rezultat pozitiv nesër për anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill.
Vjosa Osmani: Kemi pasur përkrahjen e Shqipërisë. Tani që ne po flasim, deputetët e Shqipërisë dhe Kosovës janë duke lobuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës me shpresën që nesër do të jemi të sukseshëm në këtë votim së bashku me Presidentin Begaj, Kryeministrin Rama dhe të gjithë përfaqësuesit shqiptarë, do të sigurohemi që Kosova të ketë përkrahjen e nevojshme në këtë organizatë, ku e ka merituar të jetë që në vitin 2010 e tutje qëkur morëm numrin e nevojshëm të njohjeve që përbëjnë mbi 2/3 në Këshillin e Evropës. Synimi është integrimi i plotë në strukturat euro-atlantike dhe në këtë rrugë do të ndjekim dhe shembullin e Shqipërisë dhe në rrugë të qartë drejt BE dhe jemi të bindur se kjo është rruga e vetme dhe të gjitha reformat që po i bën Republika e Kosovës janë në këtë drejtim. Dy qeveritë tona kanë nënshkruar një numër të madh marrëveshjesh të cilat po rriten, angazhohem që këto marrëveshje të impementohen në praktikë. Kosova do ta përkrahë gjithnjë Shqipërinë në shtyrjen përpara të synimeve tona të përbashkëta. Në takimet tona, çdo sukses i Kosovës është edhe i Shqipërisë, çdo sukses i Shqipërisë është edhe i Kosovës. Krah për krah në këtë aleancë dhe vëllazëri, të bashkuar do të ecim para drejt sukseseve në familjen e madhe europiane./tvklan.al