Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë, Presidenti i vendit, Bajram Begaj dhe homologia e tij nga Kosova, Vjosa Osmani kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për mediat. Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj është shprehur se Shqipëria e ka për detyrë të jetë një avokate mjaft e mirë e Kosovës për njohje dhe anëtarësime të reja. Më tej, Begaj ka thënë se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë jashtëzakonisht të mira.
Bajram Begaj: Kënaqësi të jem në Kosovë, kënaqësi të marr pjesën në Forumin e rëndësishëm për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Forumi tregon se ne duhet të mësojmë nga historia, ta vlerësojmë mirë atë se duhet të nderojmë dhe ata njerëz që janë dhunuar gjatë asaj kohe dhe kush më shumë se gratë e kanë ndjerë këtë lloj dhunimi dhe mendoj se dhuna është e pajustifikueshme dhe në çfarëdolloj forme duhet dënuar dhe të mos përsëritet. Duhet të mendojmë për të ardhmen.
Marrëdhëniet mes dy shteteve unë nuk do i quaja shumë të mira politikisht siç është emri i zakonshëm, por marrëdhëniet janë siç duhet të jenë, jashtëzakonisht të mira dhe vëllazërore, jemi 2 shtete, por jemi 1 komb dhe kemi për detyrë që t’i jemi njëri-tjetrit afër në çdo moment, në ditë të mira dhe në ditë të këqija. E rëndësishme që të punojmë për popujt tanë, për mirëqenien e tyre dhe marrëdhëniet ekonomike duhet të zhvillohen, marrëveshjet duhet të implementohen sa më shpejt.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, një nga vlerat e Shqipërisë është që politika jonë jashtme, e linjëzuar me atë Europiane dhe Euro-Atlantike. Duke qenë pas një mandati tepër të suksesshëm në Këshillin e Sigurimit, duke mbrojtur vlerat njerëzore, natyrisht Shqipëria e ka për detyrë dhe do të bëjë gjithmonë këtë detyrë, të jetë avokate mjaft e mirë e Kosovës, për njohje të reja dhe për anëtarësime në organizatat ndërkombëtare. Jam shpresëplotë që nesër do të kemi votim të suksesshëm në Këshillin e Europës. Kjo do të na japë akoma më shumë frymëzim për të bërë punë më të mira në të ardhmen. Dëshiroj që bashkëpunimi jonë të vazhdojë, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të dëgjojmë ndërkombëtarët./tvklan.al