Anëtarësimi i Shqipërisë në tregun unik europian të pagesave “SEPA”, sipas Ambasadorit te BE-se në Shqipëri, Silvio Gonzato përmbush me sukses një ndër ambiciet kryesore në kuadër të procesit të integrimit evropian. Gonzato e nënvizoi këtë gjatë një takimi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

“Pranimi i Shqipërisë në zonën gjeografike “SEPA” nën udhëheqjen dhe koordinimin e Bankës së Shqipërisë, përmbush me sukses një ndër ambiciet e saj kryesore në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ky hap njëkohësisht tregon për progresin e bërë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe veçanërisht për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin e parë. Përmbushja e kritereve të anëtarësimit çon në zhvillimin gjithëpërfshirës politik, social dhe ekonomik të vendit.”

Guvernatori Sejko e njohu ambasadorin Gonzato me panoramën ekonomike në Shqipëri dhe me reformat e ndërmarra në vazhdimësi për të ruajtur stabilitetin financiar.  

“Banka e Shqipërisë gjykon se reformat e gjithanshme rregullatore, ligjore e institucionale të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, ofrojnë një platformë të plotë dhe konsistente për adresimin e sfidave. Pavarësisht situatave sfiduese, ecuria ekonomike në vend paraqitet e qëndrueshme dhe me tregues mjaft të mirë. ”

Prej vitit të ardhshëm, përmes tregut unik të pagesave “SEPA”, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa e transferta sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas. Përfitimet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe familjeve do të jenë në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave dhe investimeve direkte.

Klan News