Biznesi i vogël dhe i mesëm zë pjesën kryesore të investimeve private. Për këtë arsye, planet e qeverisë po fokusohen në kreditimin dhe mbështetjen e këtyre bizneseve. Sipas ministrit të Ekonomisë Anastas Angjeli, vetëm gjatë vitit të kaluar janë hapur rishtaz 6 000 biznese të reja.
Anastas Angjeli: “Krijimi dhe zhvilllimi i ndërmarrjeve të vogla, të mesme me karakter inovativ vlerëson dhe zgjeron gamën e mallrave dhe shërbimeve në treg duke ndikuar në uljen e kostos së tyre dhe plotësimin më të mirë të kërkesave të konsumatorit dhe sektori privat në Shqipëri e kaloi kontributin e vet mbi 75% të GDP-së dhe mbi 62% të zënies me punë.”
Në mbështetje të bizneseve të vogla dhe të mesme, qeveria po harton legjislacionin për lejimin e leasing-ut financiar dhe krijimin e fondit të garantimit të kredive. Ndërkohë dhe Banka e Kursimeve deklaron se gjatë muajit të ardhshëm do të nisë kreditimin për këto lloj biznesesh.
“ Më 1 nëntor ne do të nisim të ofrojmë shërbimet kredituese për bizneset e vogla dhe të mesme. Do të nisim me overdraft-e dhe pastaj do të vijojmë me disa tipe kredish. Fillimisht kreditë do të jepen në Tiranë dhe Durrës, ndërkohë që nuk kemi kufizime për llojet e aktiviteteve për akreditim.” /tvklan.al