Ansi Agolli ka luajtur 3 herë kundër Italisë në ndeshje miqësore dhe zyrtare. Ish-kapiteni i Kombëtares duke parë Kuqezinjtë në miqësoret e fundit mendon se ka shpresë për një rezultat të mirë në sfidën e parë të Europianit që do të luhet më 15 qershor në Dortmund. Agolli thotë për TV Klan se duhet parë sa do të përballohet trysnia e këtij takimi.

“Çdo repart ka funksionuar siç duhet. Shikoj një freski te kjo skuadër që të jep shpresë për ndeshjen e parë kundër Italisë. Ky lloj turneu ka emocione për skuadra si ne. Çdo gjë është në dorën e ekipit tonë. Sa do ta përballojë trysninë që te jep ndeshja e parë. Shpresoj që skuadra të marrë një rezultat të mirë”, tha Agolli.

Ansi Agolli i cili ka mbi 70 ndeshje me Kombëtaren dhe një pjesëmarrje në finalet e Europianit, atë të 2016, analizon edhe grupin e Shqipërisë me shanset që kanë Kuqezinjtë.

“Të jemi realistë, skuadra jonë kombëtare është në një grup tepër të fortë. Unë mendoj që një nga këto të jetë pse jo edhe finaliste e Euro 2024. Skuadra jonë është me personalitet tashmë, vitin e fundit me trajnerin Sylvinho. Lojtarët janë rritur nga ana e eksperiencës dhe pse jo është çdo gjë e mundur”, tha ai.

Përballja e shumëpritur me Italinë, ajo me Spanjën e Kroacinë, por edhe të gjithë të tjerat e Euro 2024 do të transmetohen direkt nga Klan.

Tv Klan