Pavarësisht mungesës së opozitës, Fatmir Xhafaj e vijoi me të vetët mbledhjen e radhës së Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion. Sërish kundërshtarëve politikë iu drejtua me një apel për të zënë vendet e lëna bosh.
“Shpresoj shumë në reflektimin e tyre, besoj që hap pas hapi duke ecur përpara me procesin përgatitor, dhe duke pasur të gjithë ne këtu, edhe opozita apo aktorë të tjerë jashtë politikës që mund të kenë pikëpyetje të tyre, perceptime të tyre për këtë çështje, do të sqarohen më mirë dhe do të kuptojnë kushtetutshmërinë, qëllimin e këtij procesi, rëndësinë që ka ky proces për qytetarët, integrimin e vendit dhe të ardhmen e vendit.”
Por demokratja Jorida Tabaku, iu kundërpërgjigj duke thënë se ky institucion dublon Këshillin Kombëtar të Integrimit. Sipas saj, procesi i integrimit dhe lufta kundër korrupsionit nuk kanë nevojë as për propagandë dhe as për fjalë të mëdha, por për angazhim.
Pavarësisht bojkotit të opozitës, komisioni u ka dërguar institucioneve të pavarura një shkresë sipas të cilës deri në 30 Qershor duhet të propozojnë ekspertët që do të asistojnë në 3 nëngrupet e Komisionit.
Tv Klan