Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkoi që të shtyhet votimi për ligjin për mediat, ose e njohur ndryshe si “paketa antishpifje”.
Gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, Balla theksoi se Komisioni i Venecias ka pranuar të marrë në shqyrtim këtë çështje.
Prandaj ai kërkoi që ligji për mediat audiovizive të shtyhet derisa të shprehet “Venecia”.
“Sapo më ka ardhur komunikimi edhe i Komisionit të Venecias që ka pranuar ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar këtë ligj me datë 20-21 Mars, ndërkohë që gjatë muajit Shkurt përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do vijnë në Tiranë për të dialoguar me ne, me këdo, opozitën parlamentare pa dyshim dhe me përfaqësues të organizatave në Shqipëri.
Do të propozoja që votimi i dekretit për mediat audiovizive, jo për AKEP-in se aty situata është e qartë dhe asnjë partner tek AKEP-i nuk ka pasur asnjë lloj reference negative. Për sa i përket këtij dekreti diskutimi për të të shtyhet derisa Komisioni i Venecias më 20-21 Mars të na sjellë raportin e vet”, tha Balla.
Mirëpo ky propozim i Ballës mori kundërshtimin e deputetes opozitare Rudina Hajdari.
“Duhet që zoti Balla ta kishte biseduar këtë me opozitën dhe pastaj të kishim rënë dakord. Diskutimin do ta vazhdojmë, kemi folës të regjistruar. Nëse është e mundur dua ta marr fjalën. Ne duhet të kishim rënë dakord. E kuptoj se Balla do të dalë aty dhe të trumbetojë sikur ka bërë ndonjë heroizëm”, tha ajo./tvklan.al