Publikohet ekipi i Biden për politikën e jashtme dhe sigurisë
Antony Blinken do jetë Sekretari i ri i Shtetit nën administratën e re të Joe Biden në Shtetet e Bashkuara. Lajmi i bërë publik fillimisht nga mediat amerikane është konfirmuar nga ekipi i tranzicionit, i cili njoftoi të hënën anëtarët e ekipit të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Joe Biden.
58-vjeçari shquhet për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës në përpjekjet për njohjen pavarësisë dhe anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare. Si zëvendës-sekretar shteti gjatë administratës së Barack Obamës, Blinken ka qenë ndër nismëtarët dhe lobuesit kryesorë për anëtarësimin e plotë të Kosovës në UNESCO në vitin 2015, edhe pse kjo përpjekje nuk mori 2/3 e votave të nevojshme gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme të këtij organizmi.
Alejandro Mayorkas do të emërohet kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe do jetë personi i parë me prejardhje latine që udhëheq këtë institucione.
Jake Sullivan, një këshilltar i vjetër i Bidenit dhe ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, do të jetë këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë që Avril Haines, një ish zyrtar i lartë i CIA-s dhe zëvendës këshilltar i sigurisë kombëtare, është propozuar të jetë drejtor i inteligjencës kombëtare dhe nëse kalon edhe provën në senat, do të ishte gruaja e parë që drejton këtë agjenci.
Ish-sekretari i Shtetit, John Kerry, është propozuar të emërohet i dërguar i posaçëm i presidentit për çështjet e klimës dhe do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Ndërkohë që Linda Thomas-Greenfield pritet të jetë ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Tv Klan