Gjykata e Posaçme e Apelit ka hequr sekuestron për banesën e nënës së deputetes Monika Kryemadhi. Ndërsa ka mbetur në fuqi vendimi për sekuestrimin e apartamentit të kësaj të fundit.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më 17.12.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 68, datë 06.12.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve M.K dhe F.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 640, datë 15.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë e paluajtshme”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 640, datë 15.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar me këtë ndryshim: Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme, ndërtesë me sipërfaqe: kati përdhe 152 m2, nga te cilat 82 m2 banesë dhe verandë 70 m2, sipërfaqe kati nëntokë 139 m2, sipërfaqe kati i parë 79 m2, sipërfaqe e katit të dytë 51 m2, sipërfaqe verande kati i dytë 27.9 m2, në pronësi të shtetases F.K“, njofton Gjykata.

Megjithatë, në një prononcim për mediat para SPAK, Kryemadhi tha se do bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.


Këtë proces gjyqësor ndaj saj, ajo e konsideron një “hakmarrje sa i përket Inceneratorit të Tiranës”.

“Është hakmarrje, por patjetër nga ana ime duhet durim e konsistencë. Ka edhe një avantazh, unë futem çik edhe pa radhë se mamaja ime në Gjykatën e Strasburgut.”

Duke qenë se dje e tha me humor se pas sekuestrimit “do jetojë në çadër ose kontenier”, gazetarët e pyetën a ka shanse që tanimë të zhvendoset tek nëna e saj, Fatimja.

“Unë kam jetuar gjithmonë me mamanë time. Ndoshta se shqiptarët edhe nuk e mbajnë mend, kur kam ngelur shtatzënë me vajzën time të parë, ne s’kemi qenë as të fejuar e as të martuar me Ilir Metën. Ne ishim të dy si dy të rinj që ç’a fluturon hahet. Më hapi derën e shtëpisë, më dha dy dhoma që ne të jetonim me Ilir Metën. Më pas mua m’u sëmur babai dhe ajo kishte nevojë për mua. Ne kemi jetuar bashkë që nga ’98-a”, tha Kryemadhi.

/tvklan