2 vila, një në emrin e deputetes Monika Kryemadhi dhe një tjetër në emër të nënës së saj, Fatime Kryemadhi u sekuestruan me kërkesë të SPAK. Vendimi për bllokimin e tyre është marrë që në datën 15 nëntor dhe ekzekutimi i tij përfundoi këtë të mërkurë.

Ndërtesat 2 katëshe të cilat ndodhen në rezidencën “Kodra e Diellit” dyshohet nga SPAK se nuk justifikohen me burime të ligjshme nga zonjat Kryemadhi.

Prokuroria e Posaçme paralelisht me hetimin penal, për të cilin ka nxjerrë edhe masat e sigurisë “Arrest në burg” për ish presidentin Ilir Meta dhe “Detyrim për t’u paraqitur” për deputeten Monika Kryemadhi, po vijon edhe një hetim pasuror.

Në kuadër të këtij të fundit është bërë edhe sekuestrimi i dy vilave, teksa hetimi vijon për pasuri të tjera.

SPAK thotë se ish çifti Meta-Kryemadhi gjatë ushtrimit të detyrave që kanë mbajtur në të shkuarën, janë përfshirë në korrupsion, kanë pastruar para dhe fshehur pasurinë e tyre. Të dy ata kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se Prokuroria e Posaçme ka manipuluar provat kundër tyre pasi po përdoret për goditje politike.

Tv Klan