Vendimi për sekuestron e vilave të deputetes Monika Kryemadhi dhe nënës së saj është shtyrë për nesër në orën 10:00. Në një prononcim jashtë SPAK, Kryemadhi tha se nuk bëhet fjalë për dy vila, por apartamente të cilat janë marrë me kredi. Ritheksoi se çështjen do e ndjekë në Strasburg.
“Një nga gjërat ishte se arsyeja për sekuestrot e banesave se ju keni qejf t’u thoni vila, janë apartamente. Thanë pse ka marrë kredi, dhe unë shtrova një pyetje gjyqtares dhe prokurorit, po ju që keni marrë kredi, jepni me qira është e ligjshme apo e paligjshme? Prokuroria nuk ka marrë ekspertë financiarë, kanë qëndruar në kuadrin e thashethemeve gazetareske. Me thënë të drejtën pretendimi është se meqë dyshohet Ilir Meta për çështjen CEZ/DIA dhe mamaja jote ka marrë shtëpi në Mars 2010. Megjithatë janë justifikime, pse duhet të rezultonte tani kjo çështja e shtëpisë…
Në vlerën që kanë përmendur për të intimiduar se ju e dini mirë që në raste të tilla kur dosjet dalin në media, është për të bërë padrejtësi nëpërmjet linçimit të njerëzve. Bëhet fjalë për 310 mijë euro, ata mbledhin të gjitha transaksionet që kanë qarkulluar në bankë duke ia vendosur mamasë time. Unë do ndjek të gjitha procedurat ligjore se jam e bindur që kjo çështje do vazhdojë në Strasburg. Atë ditë që kemi pasur gjyqin në Apel, 5 minuta para se të vija 10 policë kanë zbarkuar në oborrin e shtëpisë time, ishte skenar intetesant për presion psikologjik. Mund të jetë edhe rastësi. Kanë ardhur dhe ditën tjetër, procesverbali u firmos nga unë dhe nëna ime”, deklaroi deputetja.
“Tani ne duhet të dalim nga shtëpia”, shtoi ajo. E kur u pyet nga gazetarët se ku do qëndrojë, u përgjigj me batutë: Me çadër mo!
Kryemadhi është nën hetim për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”. Ndërkohë për këto 3 vepra penale është lënë në burg ish-Presidenti i vendit Ilir Meta.
/tvklan.al