Subjektet që operojnë në zonën e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta kanë nisur vendosjen e aparaturave për trajtimin e ujërave të ndotura.
Pas vendimit të qeverisë që detyron subjektet në zonat turistike të marrin masa për ndalimin e ndotjes së ambientit, nisi implementimi i tyre. Kjo është një pajisje e vendosur nga një restorant në plazhin e Divjakës që do të kryejë kthimin e ujërave të zeza në ujëra të pastra.
“Besoj se është një diçka, është një impiant që ka një funksion shumë të mirë për pjesën e biznesit dhe trajtimin e ujërave të zeza, si për ndotjen, por edhe për pjesën e aromës që mund t’i shkaktojë ambientit”, thotë Jurgen Murrizi.
“Për trajtimin e ujërave të zeza, ose për ndotjen e ambientit po bëjmë çmos që të futemi në parametrat që kërkon vendi jonë, aq më tepër zona turistike”, thotë Ali Murrizi.
Pronarët thonë se deri dje ujërat e zeza derdheshin në gropa septike, që u kushtonte çdo javë largimin e tyre me autobote.
“Është pak e kushtueshme, por besoj se me kursim diçka tjetër, besoj se mund t’ia arrijë, çdokush mund t’ia arrijë që ta marrë”, tha Jurgen Murrizi.
“Kjo është vetëm një sasi lekësh që hidhet për një moment, por po t’i grumbullosh tre deri në katër vite rresht do të thotë që ajo do të nxjerrë të vetat”, tha Ali Murrizi.
Në plazhin e Divjakës, instalimi i një impianti për trajtimin e ujërave të zeza nuk po ndodh masivisht. Sipas vendimit të qeverisë, ato subjekte që nuk i vendosin këto impiante, parashikohen gjoba deri në 2.7 milionë Lekë.
Megjithatë, subjektet e interesuara kanë mundësinë që pas trajtimit ujërat ti ripërdorin ose nëse derdhen në mjedis, nuk i ndosin ato.
Klan News