Gjatë takimit me Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, në Prishtinë presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu, ka falënderuar Republikën e Shqipërisë për ndihmën që i ka dhënë shtetit të Kosovës, dhe në veçanti për përkushtimin e tyre në ndërtimin e FSK-së.

Nga ana e tij Imami falënderoi popullin dhe institucionet e Kosovës për ndihmën e dhënë gjatë përmbytjeve në rrethin e Shkodrës.

Në vizitën e tij në Kosovë, ministri Imami u takua edhe me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me Jakup Krasniqin, kryeparlamentarin e Kosovës.

Krasniqi e Imami shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm. Kryeparlamentari kosovar, u shpreh se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, e përshpejton rrugën euro-atlantike edhe për Kosovën.

Ministri Imami nga ana e tij tha se Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen ndaj Forcave të Sigurisë së Kosovës që sipas tij po krijon stabilitet në të gjithë rajonin./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle