Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ish-pronarët do të marrin kompensimin monetar të pronave sipas ligjit të sapo miratuar, vetëm pas afro dy vjetësh. Ministri i Financave Arben Malaj deklaroi, se buxheti i shtetit disponon aktualisht fonde vetëm për ngritjen e strukturave për kompensimin e ish-pronarëve.

Arben Malaj: “Për ligjin e pronave ne do na lind detyrim vetëm për kostot e funksionimit të strukturave dhe jo fond kompensimi. Fondi i kompensimit në bazë të ligjit, do të jetë i domosdoshëm për t’u parashikuar pas dy vjetësh”.

Komisioni parlamentar i ekonomisë shqyrtoi menaxhimin e fondeve shtesë të buxhetit përfituar nga privatizimi i Bankës së Kursimeve. Deputetët e opozitës kontestuan kohën e shkurtër për të realizuar këto investime. Afro 6 miliardë lekë të reja do të përdoren për investime publike, ndërkohë që po aq do të përdoren për shlyerje të borxheve të qeverisë. Malaj deklaroi se ka ndërhyrë në fondin rezervë të qeverisë për investime emergjente.

Arben Malaj: “Shpenzime paraprake që ne kemi mbështetur nga fondi rezervë i qeverisë për investime në ekonominë shqiptare në kushtet e transportit, shpenzime që kemi mbështetur për ngritjen e rrjetit kombëtar të votuesve, janë rikthyer si shuma në buxhet pikërisht për të garantuar një menaxhim më të mirë të fondit rezervë”.

Vetëm disa ditë më parë, kryeministri Fatos Nano kritikoi ashpër për mosrealizim të investimesh, sektorët që përfitojnë fondet shtesë./tvklan.al