Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Buxhetit të shtetit do t’i shtohen fondet e privatizimeve brenda Majit. Në këtë shtesë buxheti përmblidhen 126 milion dollarë të përfituara nga privatizimi i Bankës së Kursimeve dhe afro 1.3 miliard lekë të përfituara nga shitja e 40% aksioneve të INSIG-ut.
Arben Malaj:- “Do të kenë prioritet investimet e domosdoshme në sektorin e shëndetësisë, në sektorin e arsimit, në sektorin e infrastrukturës dhe njëkohësisht projektet të cilat realizojnë një nga kushtet bazë që të kenë një impakt në këndvështrimin e efektit kombëtar. Pas draftit të parë që është realizuar shpresojmë që do të jetë e nevojshme një periudhë rreth dy muaj, që ky draft të ketë arritur në parlament, për të dhënë miratimin”.
Ministri i Financave Arben Malaj, gjatë një konference për shtyp tha, se kompensimi i ish-pronarëve do të kryhet pasi të përfundojnë procedurat ligjore dhe të saktësohet fatura financiare.
Arben Malaj:- “Duhet të jetë e plotë baza ligjore, duhet identifikuar kjo kosto dhe pas asaj, dhe njëherë e theksojë, pasi të jenë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e tjera, mundësia e fundit do të jetë mundësia financiare, dhe ajo do të synohet që të jetë e harmonizuar në shtrirjen e saj në kohë, duke mos krijuar nëpërmjet borxheve të vjetra një krizë të re në financat publike të një vendi”./tvklan.al