Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Tatimet do të vjelin gjoba së bashku me interesat mbi to, nëse biznesi nuk i paguan brenda afateve. Këtë fakt e bëri të ditur Ministri i Financave Arben Malaj.
Arben Malaj: “Mbi gjobën, për aq kohë sa vonohet, vepron interes në rritje, njësoj siç vepron interes në rritje për borxhet që merr qeveria shqiptare për të përballuar shpenzimet e saj, mos u merakosni se si do të grumbullohen gjobat. Ju keni përgjegjësi maksimale të aplikoni gjoba dhe të kërkoni deri në mbyllje aktiviteti vetëm në përputhje me legjislacionin fiskal, për të gjithë ata që nuk zbatojnë ligjet në fuqi”.
Malaj kritikoi punën e tatimeve duke e quajtur spontane dhe me hope, ndërsa konsideroi si sfidë dokumentimin e shitjes nëpërmjet faturave tatimore. Sipas Ministrit të Financave, ky është një problem, i cili vazhdon të jetë i përhapur në masë. Vetëm gjatë një dite në kontrollet në kryeqytet, policia tatimore ka inspektuar afro 670 subjekte, ndër të cilat mbi 100 rezultonin me shkelje./tvklan.al