Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Intervistë me Pjetër Arbnorin dhe Sabit Brokaj për konfliktin në Maqedoni.
Pjetër Arbnori:- “Mendoj që ka një problem për Maqedoninë, të cilën ne e respektojmë si shtet, por problemi është se ajo nuk ka zgjidhur çështjen nacionale me Kushtetutë, ashtu sikurse duhet. Unë nuk jam për përdorimin e dhunës, por mendoj se kanë arsye të mjaftueshme shqiptarët për të kërkuar respektimin e të drejtave të tyre, si element shtetformues, kur dihet që një pjesë e madhe e Maqedonisë, përbëhet nga shqiptarët. Gjithmonë ka arsye kur zhvillohen demonstrata dhe kur ka një demonstratë masive, qeveria e Maqedonisë duhet të mendojë që ka shkaqe thelbësore të cilat duhen parë”.
Sabit Brokaj:- “Shteti shqiptar është deklaruar që nuk është për zgjidhje të dhunshme, që do të thotë, që këto zgjidhje të këtij karakteri, aplikimi i dhunës aty nuk i shërben asnjërës palë. Mund të thuhet që i shërben Serbisë, e cila në dhjetë vjet mbajti të destabilizuar Ballkanin. Natyrisht nuk përjashtohen edhe situatat provokuese, ku ngjarje të tilla mund të ushqehen nga shumë drejtime. E rëndësishme është që të zgjidhen problemet pa dhunë”./tvklan.al