Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Strategji kombëtare për naftën, në kushtet e një krize afatgjatë. Eksperti i ekonomisë Ardian Civici mendon se qeveria duhet të ndërhyjë nëpërmjet prodhimit vendas, rezervave të naftës dhe kushteve mbi importuesit për të ekuilibruar efektet e kësaj krize mbi ekonominë shqiptare.

Ardian Civici: “Mënyra se si do të funksionojë kompania shtetërore e naftës, e cila mund të bëhet një burim për rregullimin ose amortizimin e kësaj krize, së dyti, që nga detyrimet që mund t’i vihen kompanive private për të pasur një stok rregullator nafte, në mënyrë që këto shoke, në qoftë se mund t’i quajmë të tregut botëror të paktën për një periudhë 1 ose 2 mujore të mund të amortizohen nëpërmjet rezervave, ashtu dhe një politikë direkte shtetërore, nëpërmjet rezervave shtetërore, që mund të hidhen në treg në momentet kur shfaqet kriza deri sa të qartësohen se nga vjen kjo krizë, sa mund të zgjasë dhe sa mund të luftohet”.

Sipas Civicit, në terma më afatgjatë duhet nxitur impenjimi për projektin naftësjellës rajonal AMBO.

Ardian Civici: “Ne flasim shpesh për Korridorin e 8-të, por do mendoja që po në këtë nivel duhet të ishin dhe shqetësimet e debatet përsa i përket projektit AMBO, por mbi të gjitha është garancia që ka ekonomia dhe vendi ynë, për të pasur një burim të qëndrueshëm dhe konstant me naftë që është dhe elementi kryesor i energjisë që ne përdorim, sidomos në transport”.

Çmimet e larta të naftës në tregjet botërore të transmetuara aktualisht edhe në vendin tonë, pritet të shkaktojnë sipas ekonomistëve rritje të çmimeve të mallrave të konsumit dhe për pasojë rritje të inflacionit./tvklan.al