Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ardian Fullani është prezantuar zyrtarisht si guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë. Një sfidë e ka konsideruar postin e kreut të Bankës Qendrore Fullani, i cili ka deklaruar, se do të punojë për vazhdimësinë e politikave aktuale, të Bankës Qendrore.
Ardian Fullani: “Unë do të përpiqem që Banka Qendrore të bëhet një tempull i pavarësisë, sigurisë, kredibilitetit, do të bëhet një mjet i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Kthimi është simpatik, është joshës, pas 8 vitesh, por do të thoja është më tepër impenjativ.”
Ish-guvernatori Shkëlqim Cani, ka përshëndetur guvernatorin e ri.
Shkëlqim Cani: “Nëse ka suksese në Bankën e Shqipërisë, ajo i dedikohet punës së punonjësve të Bankës së Shqipërisë, ky është një realitet, kjo është një e vërtetë që unë nuk e them për politesë, por e them për atë që dua t’i tregojë edhe këshillit të ri edhe guvernatorit, që duke u bazuar në këta njerëz të zotë, punëtor me dije të plota, ta çojnë më tej punën dhe më jepet rasti, të urojë këshillin e ri, guvernatorin, për suksese të mëtejshme.”
Ardian Fullani tashmë guvernatori i Bankës Qendrore vjen nga një eksperiencë e pasur në fushën e bankave, si ish-drejtor i përgjithshëm i Bankës Italo-Shqiptare dhe ish-kreu i shoqatës së bankierëve të Shqipërisë./tvklan.al