Kostot e sigurimit të strehimit janë mbuluar nga qeveria por fondet po mbarojnë mes debateve për emigracionin në Kongres
Një kamp emigrantësh në Arizona që ka strehuar mijëra azilkërkues planifikon të ndalojë shumicën e operacioneve brenda dy javësh kur financimi nga Uashingtoni të mbarojë.
Qarku Pima i Arizonës, i cili kufizohet me Meksikën, ka thënë se në fund të muajit shërbimet e tij duhet të ndalojnë me strehimoren Casa Alitas të Tucson dhe transportimi i emigrantëve në veri nga qytetet kufitare të Nogales, Douglas dhe Lukeville do të përfundojë.
Administratori i qarkut Pima, Jan Lesher ka bërë të ditur se qarku nuk mund të përballojë afërsisht 1 milion Dollarë në javë që më parë do të mbuloheshin nga fondet federale.
“Është përgjegjësia e Uashingtonit që të financojë. Por realiteti është se kostoja është rreth 1 milion Dollarë në javë. Dhe kjo është thjesht për shkak të vëllimit të individëve që vijnë, që, e dini, 48 milionë Dollarë në vit nuk është diçka që mund të absorbohet lehtësisht në një buxhet të Qarkut Pima, veçanërisht në një vit ku të gjithë po shikojnë të bëjnë shkurtime buxhetore. Ne marrim individë që tashmë janë të pastrehë por numri i tyre po rritet me mijëra çdo ditë”, thotë ai.
Probleme financimi të ngjashme me atë të Pima County po luhen në rajone të tjera kufitare dhe qytete të largëta si Nju Jork, Chicago dhe Denver që kanë pranuar emigrantë.
Ashtu si në Tucson, qeveritë e tjera lokale parashikojnë që pa financim, komunitetet do të përballen me shumë më tepër emigrantë që jetojnë në rrugë. Qarku Pima, i cili që nga viti 2019 ka pranuar mbi 400,000 migrantë të cilët janë përpunuar nga autoritetet kufitare amerikane, vlerësohet se 400 deri në 1,000 migrantë nuk dihet se ku të qëndrojnë kur të mbërrijnë çdo ditë në Tucson duke filluar nga prilli.
“Pas 31 marsit, pjesa më e madhe e fondit tonë do të mbarojë. Kjo do të thotë se ne nuk do të kemi më aftësinë për të ofruar strehim ose shërbime të tjera për azilkërkuesit që po mbërrijnë në Tucson City. Duke filluar nga 31 marsi, me fondet tona do të jemi në gjendje të strehojmë vetëm rreth 40 njerëz në ditë. Aktualisht kemi pesë lokacione. Nga ato, do të mbetet vetëm një pas kësaj date atë që ndodhet në Ago që ka një kapacitet për 140 persona. Por përsëri, ne do të mbijetojmë kryesisht me donacione”.
Kostot e sigurimit të strehimit dhe transportit të përkohshëm janë mbuluar nga qeveria federale, por fondet e reja janë ngecur pasi Kongresi i SHBA-së debaton mbi emigracionin.
Por fondet shtesë për strehimin dhe shërbimet e transportit kanë kapur në beteja më të gjera politike rreth migrimit të paligjshëm dhe shpenzimeve qeveritare, kryesisht për shkak të politikës së vitit zgjedhor.
Emigracioni është ndër tre shqetësimet kryesore për amerikanët dhe Arizona është një shtet në fushëbetejë zgjedhore që mund të ndihmojë në vendosjen e kontrollit të Shtëpisë së Bardhë dhe Senatit të SHBA. Susana Selig është e shqetësuar për atë që do të ndodhë me pjesën tjetër të emigrantëve që kanë nevojë për ndihmë.
“Shqetësimi im kryesor pas 31 marsit është se çfarë do të ndodhë me ata 960 persona të tjerë në ditë që vijnë nga kufiri. Mesatarja jonë ditore është rreth një mijë persona. Por kemi pasur ditë si në nëntor, ku kemi marrë deri në 1800 njerëz në vetëm një ditë”.
Casa Alitas filloi në vitin 2014 si një përpjekje e kishës për të ndihmuar emigrantët e Amerikës Qendrore, të cilët mbërritën në Tucson. Deri në vitin 2023, ajo u kishte shërbyer mbi 180,000 azilkërkuesve, kryesisht familje, të cilët kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në SHBA ndërsa ndjekin çështjet e tyre të imigracionit.
Ndërsa disa emigrantë vijnë nga Meksika, Guatemala dhe vende të tjera të Amerikës Latine, Casa Alitas kohët e fundit ka strehuar njerëz nga Afrika Perëndimore, India dhe gjetkë.
Në një nga pesë strehëzat e Casa Alitas javën e kaluar, emigrantëve iu ofrua fjetje, ushqime, rroba të pastra, pajisje tualeti dhe ndihmë për planifikimin e udhëtimit të mëtejshëm.
Sara Vasquez Gonzalez 45 vjeç erdhi me burrin dhe tre nga gjashtë fëmijët e saj nga Chiapas, Meksikë, ku dhuna e karteleve të drogës ka shtyrë familjet meksikane të ikin në SHBA.
“Ajo që përjetuam në Çiapas nuk ishte e lehtë sepse mbërritën dy organizata kriminale dhe pamë të shtëna. Burri im qëndroi atje duke u kujdesur për gjërat tona dhe ai thjesht fshihej pas dyerve. Shtëpia ime u qëllua dhe u vandalizua plotësisht. Nëna ime jeton në një zonë tjetër dhe aty gjetëm strehim. Nuk është e lehtë të lëmë tre fëmijë në Meksikë, humbëm shtëpitë tona, të korrat tona”.
Shumë të tjerë ndajnë të njëjtin fat si me Sara Gonzales, ndërsa kërkojnë një zgjidhje të problemit.
“Epo, në bazë të ndërgjegjes sime, po të isha qeveri, nuk do ta bëja ndalimin e fondeve për qendrën e pritjes, apo jo? Sepse unë jam njeri dhe kam një zemër. Epo, Zoti pastron çdo zemër. Unë do t’i kërkoja qeverisë të njëjtën gjë këtu, që të ketë më shumë ndjeshmëri nga ana e tyre”.
Casa Alitas tashmë u ka thënë 2/3 të fuqisë punëtore prej 60 personash se ata do të pushohen nga puna për shkak të mungesës së fondeve.Strehëza planifikon të zvogëlojë kapacitetin e saj nga 1,400 njerëz në ditë në 140, një nivel që mund të mos jetë i mjaftueshëm për të strehuar të gjitha familjet që vijnë me foshnja dhe fëmijë.
Në dhjetor, Qarku Pima priti 46,000 migrantë më shumë se kurrë më parë, sipas shifrave të qarkut. Numrat kanë qenë pak më pak se 30,000 në muaj në janar dhe shkurt.
Guvernatorja e Arizonës, Katie Hobbs, një demokrate, javën e kaluar u dërgoi një letër ligjvënësve kryesorë amerikanë në komitetet e financimit duke thënë se shtetit të saj i duheshin të paktën 752 milionë Dollarë fonde strehimi.
Në Kongres, ligjvënësit që përfaqësojnë zonën janë të ndarë për çështjen e financimit të strehimoreve. Përfaqësuesi i SHBA Raul Grijalva, një demokrat që përfaqëson një pjesë të kontesë Pima dhe më shumë se 350 milje të kufirit me Meksikën, bëri thirrje për më shumë fonde federale dhe u shpreh se republikanët po vazhdojnë të shfrytëzojnë krizën humanitare për përfitimet e tyre politike.
“Mesazhi im për Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe për popullatën në përgjithësi është një mesazh ndjeshmërie. Qofshim empatik me të gjithë njerëzit që po ikin nga situatat e dhunshme në vendet e tyre. Si emigrant, unë vetë mund të garantoj se nuk është një situatë e lehtë për të jetuar larg familjeve. Nëse nuk merren fondet, do të shohim nëna me fëmijët e tyre të vegjël duke fjetur në rrugët e qytetit të Tucson”.
Presidenti amerikan Joe Biden që kërkon një mandat tjetër në zgjedhjet e 5 nëntorit, është përballur me një numër rekord të migrantëve të kapur duke kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë që kur ai mori detyrën në vitin 2021.
Ai e ka ashpërsuar qasjen e tij në muajt e fundit, duke ushtruar presion ndaj republikanëve për të siguruar 13.6 miliardë Dollarë fonde shtesë kufitare dhe për të miratuar legjislacionin që do ta bënte më të vështirë kërkesën për azil në kufi.
Por republikanët kanë hedhur poshtë propozimet e Biden dhe thonë se ai duhet të rivendosë politikat më kufizuese të ish-presidentit Donald Trump. Kërkesa për financim të Biden përfshinte 1.4 miliardë Dollarë për qeveritë lokale dhe organizatat bamirëse për të siguruar ushqim dhe strehim të përkohshëm për migrantët, por disa republikanë kundërshtojnë shpenzimet, duke thënë se kjo nuk do të parandalonte kalimet e paligjshme.
Një e treta e 751,000 migrantëve të kapur duke kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë që nga 1 tetori 2023, u kapën në zonën Tucson, duke nënvizuar nevojën për shërbime strehimi.
Klan News