Shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës janë të përjashtuar nga afatet kohore të përcaktuara nga qeveria për aplikim për letërnjoftime, për pasojë dhe nga sanksionet.

Në një intervistë për TV Klan drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, sqaron se për emigrantët mbetet kusht vetëm pajisja me këtë dokument në herën e parë që do të vijnë në Shqipëri.

Armand Teliti: “E vetmja gjë është që në momentin që qytetarët shqiptarë që rrojnë në emigracion do të vijnë në Shqipëri ata duhet të aplikojnë. Kjo është e vetmja kërkesë që shteti shqiptar ka ndaj tyre. Pastaj marrja e letërnjoftimit që është një hap i dytë nuk është  e nevojshme që ata detyrimisht të presin dy javët derisa karta të prodhohet dhe të jenë në Shqipëri duke prishur komoditetin dhe punët e tyre. Ata mund të vijnë gjatë gjithë shtrirjes së kohës kur do kenë nevojë. Në momentin e parë që ata do prekin Shqipërinë janë të lutur që të shkojnë të aplikojnë, por nuk është e detyrueshme që atë ta bëjnë as në tre muajt e parë, as në gjashtë muajt e parë”.

Përsa i përket aplikimit procesi po vijon normalisht dhe numri i aplikuesve është rritur ndjeshëm.

Sipas Telitit për shkak të fluksit është zgjatur orari i punës në zyrat e aplikimit, ndërkohë që këto zyra do të qëndrojnë të hapura edhe të shtunave për t’u krijuar kështu mundësi edhe personave që gjatë javës janë në marrëdhënie pune./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami