Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të NATO-s po diskutojnë në kryeqytetin çek se si ti heqin kufizimet Kievit që të mund të përdorë armatimet e dërguara nga perëndimi për të goditur brenda territorit rus. Takimi vjen një ditë pasi presidenti i SHBA Joe Biden i dha Ukrainës dritën jeshile për të përdorur armët me rreze të gjata veprimi për të goditur brenda Rusisë me qëllim për të mbrojtur qytetin e Kharkivit.
Kryediplomatët nga Holanda, Finlanda, Polonia dhe Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca shprehën miratimin ndaj vendimit amerikan duke thënë se Ukraina ka të drejtën absolute për të mbrojtur veten nga sulmet me origjinë tokën ruse. Kjo është një çështje e respektimit të së drejtës ndërkombëtare e drejta e Ukrainës për vetëmbrojtje tha shefi i NATO-s Jens Stoltenberg.
“Rusia ka sulmuar Ukrainën, e cila ka të drejtë të mbrohet. Dhe kjo përfshin gjithashtu sulmin ndaj objektivave legjitime ushtarake brenda Rusisë. Nëse shikoni në fushën e betejës tani, Rusia po vijon sulmet ndaj Ukrainës me artileri dhe raketa. Kjo sigurisht, e bën shumë të vështirë për Ukrainën që të mbrohet nëse nuk lejohet të përdorë armë të avancuara për të zmbrapsur ato sulme.”
Italia dhe Hungaria mbetet janë rreshtuar kundër dhënies së mundësisë Kievit.
Antonio Tajani: Italia nuk do të dërgojë ushtarë të saj për të luftuar kundër forcave ruse në territorin ukrainas. Ka mendime të ndryshme, por përdorimi i armëve me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina drejt territorit rus nuk vendoset nga NATO. Secili vend vendos vetë se si do të përdoren armët që i janë dhuruar Kievit. Të gjitha pajisjet ushtarake që Italia po dërgon në Ukrainë duhet të përdoren për mbrojtje brenda territorit ukrainas. NATO nuk është në luftë me Rusinë ndaj ndonjëherë nevojitet pak më shumë maturi”.
Ndërkaq kryeministri hungarez Viktor Orban tha se NATO çdo javë po i afrohet luftës direkte me Rusinë në Ukrainë. Sipas Orban planet e NATO-s që të përfshihet më shumë në luftën në Ukrainë janë si të shuash zjarrin me flakëhedhës.
Viktor Orban: Negociatat lidhur me dërgimin e trajnerëve ushtarakë francezë në Ukrainë dhe lejimi që ushtria ukrainase të përdorë armë perëndimore për të sulmuar caqet ruse ishin ide shqetësuese që do ta vendosnin NATO-n edhe më afër luftës. Një mision i NATO-s në Ukrainë do të rrezikonte një luftë botërore në vend se të mbronte anëtarët e aleancës. Është absurde që NATO-ja në vend se të na mbrojë ne, po na tërheq në luftë botërore. Kjo është absurde sikurse një zjarrfikës të vendosë ta shuajë zjarrin me flakëhedhës.
Orban, i cili ka raporte të afërta me Moskën, ka mospajtime me shtetet perëndimore sa i përket mbështetjes për Ukrainën.
Rusia ka shfrytëzuar vonesën e gjatë të krijuar muajt e fundit në dërgimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën nga ana e SHBA-së si dhe prodhimin e pamjaftueshëm të armëve dhe municioneve në Evropën Perëndimore që ka ngadalësuar dërgesat vendimtare në fushën e betejës.
Në muajt e fundit, Rusia ka kryer sulme të pareshtura ajrore dhe tokësore kundër Ukrainës, e cila po përballet me mungesë municioni. Në ditën e takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, Rusia kreu sulme të mëdha ndaj infrastrukturës ushtarake dhe civile në nëntë rajone ukrainase, duke shkaktuar viktima dhe dëme.
Në qytetin verilindor ukrainas Kharkiv, nga sulmet me raketa ruse shtatë njerëz ka patur disa viktima dhe të plagosur. Kjo ofensivë e re ruse e gjeti presidentin ukrainas në Suedi.
Volodymyr Zelensky: Ju mund të shihni se si Rusia po përpiqet të zgjerojë luftën dhe të prishë samitin e paqes. Ne po përgatitemi për provokime në rajonin e detit Baltik. Së bashku ne mund të ndalojmë çmendurinë e Moskës, sa më shpejt të jetë e mundur.
Presidenti rus Vladimir Putin e paralajmëroi perëndimin për “pasoja serioze”, duke theksuar fuqinë bërthamore të vendit të tij.
Klan News