Në kuadër të operacionit policor të koduar “Katërkëndshi” është arrestuar 43-vjeçari me iniciale I.M., anëtar i një grupi kriminal në Peqin.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një 43-vjeçar që posedonte pa leje në ambientet e biznesit në pronësi të tij, armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak, si edhe lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në disa ambiente (pikë inertesh, varrezë makinash, stallë bagëtish).
Në këto ambiente, punonjësit e policisë kanë gjetur të fshehura: 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 armë sportive, municion luftarak, 1 predhë, 1 thikë, një sasi lënde narkotike kokainë dhe 2 traga automjeti false, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Më tej, uniformat blu kanë zbuluar se poseduesi i armëve dhe i sendeve të kundërligjshme kishte ndërtuar një objekt pa leje.
Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i 43-vjeçarit, banues në Peqin për 7 vepra penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Punësimi i paligjshëm”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formulareve”.
Gjithashtu, për këtë rast u shoqëruan në ambientet e Policisë, disa shtetas të tjerë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme./tvklan.al