Numri i shqiptarëve të shpallur sot në kërkim ndërkombëtar i kalon të 1 mijë vetët.

Janë të gjithë të dënuar apo të akuzuar për vepra penale shumë të rënda. Gjashtë prej tyre kryesojnë listën si personat me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Pëllumb Seferi, drejtori i zyrës së Interpol Tirana, thotë se një pjesë e mirë e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga kjo zyrë sot janë arrestuar. Pjesa tjetër mbetet ende në kërkim prej disa kohësh.

Pëllumb Seferi: “Personat më të kërkuar afishohen gjithmonë në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme. Kjo listë gjithmonë ndryshon për faktin sepse shumë nga këto persona arrestohen brenda vendit, ekstradohen, e të tjerë, e të tjerë, prandaj them që kjo listë gjithmonë ndryshon. Unë mendoj që gjatë tre viteve të fundit janë arrestuar dhe ekstraduar persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Janë të përcaktuar procedurat për çdo person.”

Por personat që prej vitesh i fshihen drejtësisë shqiptare janë shpesh të paidentifikueshëm, pasi jeta e tyre në liri në një vend të huaj, i bëhet e mundur vetëm në sajë të dokumenteve të falsifikuara.

Seferi thotë se procesi i kërkimit të vendndodhjes së tyre shpesh haset në pengesën e një foto apo dokumenteve të tjera të identifikimit.

Pëllumb Seferi: “Në disa raste normalisht kemi edhe vështirësi. Kjo përsa i përket personave, të cilët u mungon materiali identifikues dhe në këto raste jemi përpjekur që nëpërmjet zyrave homologe të sigurojmë fotografitë, njëkohësisht edhe me policinë vendore të bëjmë identifikimin e këtyre personave. Në bashkëpunim me departamentin e hetimit të krimit po bëhet një punë e mirë përsa i përket identifikimit të personave që kanë kryer vepra penale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kështu që për 2009-tën kemi edhe raste ekstradimi në vendet që ne kemi marrëveshje bilaterale, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë vitit 2009 kemi katër raste ekstradimi.”

Vetëm për këtë vit Interpol Tirana arrestoi 69 persona, nga këta 64 të ekstraduar dhe katër të tjerë për qëllime ekstradimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pëllumb Seferi: “Dua të theksoj se pjesa më e madhe e personave që janë në kërkim ndërkombëtar pak a shumë janë të lokalizuar. Pritet vetëm finalizimi i procedurave, normalisht arrestimi i tyre me qëllim ekstradimin”.

Anduena Llabani: “Në emër të ligjit shumë persona me precedentë penal marrin dënimet maksimale nga gjykata shqiptare, por ata nuk kanë mundur kurrë të dalin përpara një trupi gjykues. Edhe pse emrat e tyre mund të tingëllojnë shumë të dëgjueshëm për publikun fytyrat e tyre ngelen ende të panjohura.”

Kushtet e mira financiare jo në pak raste i kanë dhënë mundësinë disa prej drejtuesve të ish firmave piramidale të jetojnë përjetësisht të sigurt jashtë kufijve.

Një prej tyre është Pëllumb Shehaj, i cili prej vitesh sigurohet nga agjentë privatë. Kur flasim për persona në kërkim mendja na shkon në fotot e tyre, të cilat prej vitesh nuk afishohen në pikat më të frekuentuara si stacione urbanesh apo trenash.

Shpesh na qëllon të dëgjojmë se personi me të cilin ndanim një pallat apo një tavolinë është filani, i kërkuar apo i shpallur në kërkim dhe raste të tilla ka me dhjetëra.

I pari i identifikueshëm ishte Dritan Dajti, personi që prej 6 vitesh ishte shpallur në kërkim, e që po prej aq vitesh jetonte i lirë në qendër të Tiranës pa u njohur dhe diktuar nga askush./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani