Edhe për arrestimin e Jorgo Goros, njësoj si për shumë zyrtarë dhe ekspontët e Partisë Socialiste që kanë përfunduar në pranga, mazhoranca ka të njëjtën përgjigje.

Qëndrimi ynë është i qartë, ne nuk komentojmë vendimet e drejtësisë. Drejtësia ka të gjithë mbështetjen tonë për të vijuar dhe çuar në një nivel tjetër luftën kundër korrupsionit dhe çdo formë tjetër të shkeljes së ligjit.

Ministri i Brendshëm thotë se dorëheqja e Goros do të pasohet nga hapat ligjorë që janë në kompetencë të Ekzekutivit dhe Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Himarës.

“Brenda 48 orësh, institucioni i Prefektit, njofton organet e tjera të qeverisjes qëndrore dhe të jeni të sigurtë që si në çdo rast, qeveria e Shqipërisë do të zbatojë ligjin pikë për pikë. Këshilli Bashkiak komandon në atë detyrë një kryetar që të kryejë në mënyrë të përkohshme këtë detyrë.”

Aktualisht, Bashkia e Himarës ka dy nënkryetarë në detyrë të emëruar nga Jorgo Goro, Blerina Bala dhe Pervin Gjikuria.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak është parashikuar të zhvillohet të premten e 29 Marsit kur pritet të votohet mes 2 nënkryetarëve për të zgjedhur emrin e atij që do të drejtojë bashkinë deri kur gjykata të shprehet me vendim të formës së prerë për fatin e Fredi Belerit, i dënuar me 2 vjet burg në Shkallën e Parë.

Nëse vendimi konfirmohet në Apel, Himara do të duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Tv Klan