Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit deklaron nga Turqia se ky i fundit nuk është arrestuar nga policia, por është vetëdorëzuar me qëllim për të kërkuar azil në shtetin turk për shkak se nuk ndjehet i sigurtë në Shqipëri.
Sipas deklaratës së Hamza Licit të siguruar nga Klan News, ai ka thënë se nuk është e vërtetë se Ibrahim Lici është arrestuar, teksa ka shtuar se i vëllai i tij është i pafajshëm pasi ka pretenduar se ai nuk ka kryer asnjë vrasje.
Më tej, në deklaratën e tij, Hamza Lici, ka thënë se i vëllai i tij, Ibrahim Lici do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi teksa ka shtuar se nuk mund të ekstradohet pasi ka thënë se jeta e tij rrezikohet me pretendimin se shteti bashkëpunon me bandat kriminale.
Deklarata e Hamza Licit nga Turqia: Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë Policia e Shtetit në Shqipëri, por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi. Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar, por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale.
Ibrahim Lici dyshohet se është autor i vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër dhe ka qenë një nga 5 personat më të kërkuar nga policia në Shqipëri.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Bashkëpunim intensiv me partnerët, për kapjen e shtetasve të shumëkërkuar.
Si rezultat i inteligjencës policore të siguruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe nga struktura të tjera të specializuara të Policisë së Shtetit, si dhe i shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore turke, finalizohet operacioni policor i koduar “Jehona”.
Operacioni, nga Policia e Turqisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në koordinimin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në drejtimin e SPAK.
Kapet në Turqi dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin, një 31-vjeçar i shumëkërkuar për vrasje.
Strukturat vendore të Policisë Shkodër, si rezultat i punës së pandërprerë për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se shtetasi i shumëkërkuar I. L. fshihej në Turqi. Më tej, struktura të specializuara të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (Interpol Tirana) e kanë shkëmbyer menjëherë këtë informacion dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e këtij shtetasi.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë reale, ndjekjes dhe koordinimit të veprimeve, Policia turke ka finalizuar operacionin policor të koduar “Jehona”, gjatë të cilit është kapur dhe vënë në pranga shtetasi i shumëkërkuar I. L., 31 vjeç.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shperthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin E. M.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për ekstradimin e të shumëkërkuarit, drejt Shqipërisë.
/tvklan.al